Flash News

KRYESORE

BBC: Të rinjtë kosovarë fitojnë mijëra dollarë me “fake news”

BBC: Të rinjtë kosovarë fitojnë mijëra dollarë me

Për herë të parë erdha në Kosovë një vit më parë kur po hulumtoja për mënyrën sesi pushteti po ndryshonte në epokën digjitale. Dëgjova për fushatat ruse dhe luftën që kishte nisur me informacionin.

Lajmet e rreme dhe sensacionale për audiencat perëndimore nuk shërbenin për fushata të ngjashme me ato ruse, përkundrazi bëhej për para dhe ata i shpërndajnë këto lajme sepse ne i klikojmë.

“Clickbait” ose “fake news” janë terma që zakonisht përdoren për të përshkruar materialet e rreme që qarkullojnë në web.

Një vit më parë, mësova se dezinformimi në Kosovë po lulëzonte. “Dog Groomer, i cili goditi qenin në atë mënyrë saqë ju thyen kockat, ngelet jashtë burgu” ishte titulli i një lajmi, ose “Djaloshi del nga koma pas 12 vitesh, iu tregon prindërve sekretet e tyre të errëta.”

Thuajse çdo gjë që përmbanin këta artikuj ishte e rremë. Disa ngjanin me lajme, por qëllimi i vetëm ishte klikimi.

Të bësh para nga interneti do të thotë të ndjekësh audiencën dhe njeriu me të cilin bisedova, zotëronte dhjetëra faqe me tematika si krishterimi e deri tek destinacionet për pushime.

Pavarësisht se çfarë tematike i përkisnin, faqet kishin 90,000; 240,000; 26,000 pëlqime. Ai fitonte deri në 600 euro në ditë.

Ky është një fitim shumë më i madh sesa një punë e ligjshme mund t’i sigurojë, jo vetëm në Kosovë, por në mbarë botën.

Gjigandët e teknologjisë premtuan të mbyllnin përgjithmonë këtë industri. Lajmet e rreme, Zuckerberg i quan sfidë personale.

Në 2018-ën, Facebook rriti ekipin e sigurisë në 20,000 anëtarë dhe mbylli dhjetëra faqe e grupe që shpërndanin “clickbait”.

Muajin e kaluar u riktheva në Kosovë së bashku me ekipin e BBC. Doja të shikoja nëse diçka kishte ndryshuar që kur Facebook nisi fushatën anti-fake news.

Në të vërtetë reformat e Facebook kishin dhënë rezultat. Disa faqe ishin mbyllur dhe fitimi nga 600 euro në ditë kishte rënë në 100 euro. Përhapja e lajmeve të rreme është bërë më pak fitimprurëse. 100 euro në ditë mjaftojnë për dikë, i cili do të kishte fituar 7 euro në ditë duke punuar si kamerier.

Mësova se ekzistonte një rrjet grupesh të mbyllura me mijëra anëtarë. Për t’u bërë pjesë e një grupi të tillë duhet fillimisht të të ftojnë. Brenda tyre personat që merreshin me këtë punë shisnin faqe me qindra mijëra pëlqime për mijëra dollarë.

Të tjerë shisnin pëlqime të rreme, llogari të rreme, ofronin këshilla sesi të anashkalonin masat e Facebook.

Në kërkim të klikimeve atyre nuk iu intereson fare çfarë shpërndajnë, mund të jetë e tmerrshme, shokuese, e ekzagjeruar, mund të nxisë urrejtje, pak rëndësi ka./ Carl Miller, BBC

Të fundit