Flash News

KRYESORE

BE kërkesë Kosovës: Anulo tarifën për markat ndërkombëtare që prodhohen në Serbi

BE kërkesë Kosovës: Anulo tarifën për markat

Zyra e posaçme e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe misionet diplomatike të vendeve anëtare të BE-së, i bënë thirrje qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin për zgjerimin e tarifave për importet nga Serbia dhe Bosnja.

Në një deklaratë të përbashkët ata u shprehën të shqetësuar me vendimin e një dite më parë që tarifa prej 100 për qind e vendosur për mallrat nga Serbia dhe Bosnja të përfshijë edhe kompanitë ndërkombëtare që prodhojnë në këto dy vende.

'Duam të ritheksojmë mesazhin e Bashkimit Evropian se vendosja e tarifave nuk u ndihmon marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bie ndesh me përkushtimin e shprehur në të kaluarën nga Kosova për integrimet rajonale dhe përkushtimet e përshkruara në Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Së këndejmi, i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin dhe të anulojë tarifat. Ky do të ishte vendimi i duhur për të çuar përpara aspiratat evropiane të Kosovës dhe qytetarëve të saj', thuhet në deklaratë në të cilën ritheksohet mesazhi i BE-së për bashkëpunim rajonal dhe thirrjet që palët të përmbahen nga veprimet që dëmtojnë këtë mesazh.

Qeveria e Kosovës më 21 nëntor vendosi tarifën 100 për qind ndaj mallrave serbe, mirëpo, kishte përjashtuar një listë të kompanive ndërkombëtare që furnizojnë Kosovën përmes Serbisë. Ndërsa tash e tutje, sipas vendimit të qeverisë, të gjitha prodhimet që vijnë nga Serbia apo Bosnja, përfshirë edhe nëntë mallra kompanish ndërkombëtare që prodhojnë në këto dy vende, do t’i nënshtrohen tarifës prej 100 për qind. /VOA

Të fundit