Flash News

KRYESORE

BE miraton 15 milionë euro: Do të ndërtohen 22 shkolla të dëmtuara nga tërmeti

BE miraton 15 milionë euro: Do të ndërtohen 22 shkolla të

Në një kohë ku e gjithë vëmendja është fokusuar te koronavirusi, një lajm i mirë vjen nga Bashkimi Europian për Shqipërinë. Të mërkurën është nënshkruar programi “BE për shkollat”, midis ambasadorit të BE-së në Shqipëri Luigi Soreca dhe Përfaqësueses së UNDP-së Limya Eltayeb. Ky program, me vlerë 15 milionë euro, do të përdoret për ndërtimin apo rikontstruksionin e 22 shkollave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar.

Nga financimi i BE-së do të përfitojnë pesë bashki, bazuar në nevojat e identifikuara nga Vlerësimi i Nevojave pas Fatkeqësisë (PDNA). Këto janë Bashkia Kavajë, Krujë, Kamëz, Durrës dhe Kurbin. Në të pesta bashkitë do të kryhen punime riparuese, ndërsa katër shkolla në Krujë dhe dy në Kurbin do të rindërtohen nga fillimi. Objektet arsimore të cilat do pajisen plotësisht përfshijnë pesë kopshte, njëmbëdhjetë shkolla fillore, dy shkolla të mesme, tre shkolla të përbashkëta dhe një shkollë të mesme profesionale. Numri i përgjithshëm i nxënësve dhe personelit mësimdhënës që do të përfitojnë nga projekti shkon në rreth 7 500 në të pesta bashkitë.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, z. Luigi Soreca, u shpreh se: “Ne premtuam ndihmë dhe po e ofrojmë atë shpejt. Shkollat janë mishërimi më i mirë i ringritjes dhe besimit në të ardhmen. Nisja e asistencës së ofruar nga BE pas tërmetit me shkolla të standardit më të lartë ndërkombëtar është veprimi më i mirë për t’u ndërmarrë. Përgjigja e Bashkimit Evropian tregon edhe njëherë se Shqipëria jo vetëm është afër gjeografikisht, por edhe afër zemrave dhe mendimeve tona”.

Përmes jetësimit të shpejtë të Programit “BE për Shkollat”, Bashkimi Evropian synon të rikthejë shërbimet arsimore në komunitetet lokale, në mënyrë që të ketë sa më pak ditë mësimi të humbura për fëmijët, si dhe të mundësojë kthimin gradual në normalitet në këto bashki, ku arsimi del në plan të parë. Ditën e djeshme Këshilli i BE-së miratoi buxhetin e ndryshuar të Bashkimit Evropian për vitin 2020 me qëllim që Shqipërisë t’i ofrohet sa më shpejt të jetë e mundur shuma prej 100 milionë euro shtesë, për të cilat Komisioni Evropian u zotua në konferencën e donatorëve “Së bashku për Shqipërinë” në shkurt 2020.

Të fundit