Flash News

KRYESORE

Bejko: Rama do sjellë të tjera probleme, nuk e di opozita si do veprojë

Bejko: Rama do sjellë të tjera probleme, nuk e di opozita si do

Ish kryetari i degës së PD-së në Gjirokastër, Roland Bejko çuditet me faktin që se si kryeministri Edi Rama bën si të habitur, për deklaratën e presidentit të Francës Emmanuel Macron se kundërshton hapjen e negociatave për Shqipërinë. Të njëjtën gjë bëri edhe deputetja e PS-së, Mimi Kodheli.

Ai del kundër argumentit të shumicës parlamentare se presidenti francez dhe tre skeptikët e tjerë; Gjermania me 9 kushtet shtesë, Holanda dhe Danimarka reflektojnë problemet e brendshme që ka Evropa.

“Të mendosh që në Shqipëri nuk ka Gjykatë Kushtetuese e Gjykatë të Lartë, Parlamenti dhe pushteti janë monistë, vidhen votat dhe zgjedhje nuk ka më, partia e vetme në pushtet është edhe shtet dhe pushtet, ekonomia në krizë totale, krimi është sundues dhe administrata publike, mizerje, është pra, për të vënë duart në kokë.

Macron u shpreh se nuk mund t'i hapen negociatat një vendi që është furnizuesi i dytë i Francës me emigrantë duke lënë pas dhe vendet në konflikt. Madje la të hapur edhe mundësinë për të rikthyer regjimin e vizave për shqiptarët.’, shkroi Bejko në profilin tij në Facebook.

Sipas tij reagimi francez nuk është i papritur. “Një vit më parë ministri i brendshëm francez ka zbritur në Tiranë për këto çështje dhe e paralajmëroi Ramën se emigracioni shqiptar do ketë kosto për integrimin e Shqipërisë.

Të njëjtën gjë natën e festës kombëtare të Francës më 14 qershor të këtij viti. Ambasadorja franceze ja tha në sy atij dhe shpurës ministrore se ishte e habitur nga indiferenca e kryeministrit Rama që nuk merr asnjë masë kur qeveria e saj i thotë se shqiptarët po braktisin përditë e më shumë vendin e tyre duke kërkuar azil në Francë për shkak të varfërisë dhe papunësisë.”

Ish kryetarin e degës së PD-së e shqetëson fakti se kryeministri i shqiptarëve vazhdon të mos ndiejë asnjë përgjegjësi për ikjet masive të qytetarëve e për situatën katastrofike ku gjendet Shqipëria. Ai i trembet faktit se Rama thellojë bashkëpunimin me Serbinë dhe Turqinë duke i shkelur syrin Rusisë dhe Kinës që më tej t’i bëjë evropianët të ndihen të pasigurt me Ballkanin e trazuar dhe fajtorë njëkohësisht.

“Çfarë do bëjë Rama pas kësaj e dimë, e kemi déjà vu, por çfarë do bëjë opozita, mbetet për t’u parë.” përfundon Bejko.

Të fundit