Flash News

KRYESORE

Berat Buzhala sulm të hapur ndaj Ballës: Top Channel, nën Sokolin, u tredh. Dritan Hoxha do ndihej i turpëruar

Berat Buzhala sulm të hapur ndaj Ballës: Top Channel, nën

Gazetari Berat Buzhala ka sulmuar hapur ish-drejtorin e Top Channel, Sokol Balla, sot drejtor Ekzekutiv i Vizion Plus.

Në një shkrim të publikuar te ‘Gazeta Express’, me titull “Top Channel i gjuan me top Kullat e Edi Ramës”, Buzhala flet fillimisht për njohjen me Dritan Hoxhën dhe degradimin sipas tij të televizionit më të madh shqiptar pas ndarjes nga jeta të themeluesit. Më pas, Buzhala hidhet te ‘epoka Balla’, për të cilën thotë se Dritan Hoxha do të ndihej i turpëruar nëse do të ishte gjallë.

Sipas gazetarit nga Kosova,Top Channel u shndërrua për shumë kohë në një departament të Edi Ramës për marrëdhënit me publikun, si dhe ishte nënshtuar ndaj tekave të Sokol Ballës. Ai thotë se ky televizion u tredh nën drejtimin e Ballës, duke u shndërruar në një media të madhe pa shtyllë kurrizore.

“E shnderruan Top Channel-in në një department për marrëdhenie me publikun të Edi Ramës. Relevanca e kësaj superfuqie u bë - pothuajse - e ngjashme me televizionin e Edit, ‘ERTV'-në. Ishte pothuajse e pabesueshme në çfarë derexhe kishte rënë kjo supermedia. I ishte nënshtruar tekeve të një fëmije të kompleksuar, paçka që mund t'i kishte 40-50 vjec. E kam fjalën për Sokol Ballën. Top Channel, nën Sokolin, u tredh. Top Channel, nën Sokolin, u konvertua në diçka për të cilin Tani do të turpërohej. Nuk po flas këtu për spektakle televizive, as për humor, as për muzikë. Këto gjëra mirë duken, ndonëse nuk është që i ndjek me kërshëri të madhe. Unë po flas për politikën editoriale. Po flas për lajmet qëndrore dhe për debatet politike. Tani, djali i lirë e plot energji, do të villte nga ajo se çfarë po prodhohej në Top Channel. Një media e madhe, pa shtyllë kurrizore. Një media e madhe, që ishte zaptuar nga një politikan, që sot është, nesër nuk është”, shkruan Buzhala.

Por sipas Buzhalës, gjithçka ka filluar të ndryshojë në Top Channel me largimin e Ballës dhe ardhjes në krye të televizionit të ish-deputetit Ben Blushi. Kjo dallohet lehtësisht edhe nga emisionet që Ylli Rakipi transmeton në këtë televizion.

“Sonte (dje) rastësisht fillova të shikoj emisionin ‘Të paekspozuarit’, të Ylli Rakipit. Të gjitha këto më ranë ndërmend kur e pashë kroniken para debatit. E pashë se si Top Channel paska filluar ta marrë veten dhe t'i përngjajë, ndoshta jo të duket njejtë, atij të Tanit. Thash me vete, udhëheqësit e këtij megamediumi paskan filluar të besojnë - me të drejtë - që një media sikur ajo, që ata e kanë, është më e rëndësishme, sesa një kryeminister kalimtar. Jam i vetëdijshem që një gjë e tillë ka ndodhur për shkak të ndryshimeve të fundit në këtë televizion. Sigurisht që ardhja e Rakipit, e posaçërisht ardhja e Ben Blushit si drejtor i tij, ishin një lëvizje e fuqishme e atyre që e drejtojnë ose atyre që janë pronarë të kësaj medie. Shqipëria, por as shqiptarët, kurrë më shumë se sot nuk kanë pasur nevojë për një medium të madh, të fuqishëm dhe të pavarur. Top Channel i plotësonte të gjitha këto kushte - përveçse nuk ishte i pavarur. Tash duket që edhe është bërë i tillë”, shprehet gazetari.

Të fundit