Flash News

KRYESORE

Berisha del nga Kuvendi dhe denoncon veprimet e Vuçiç në Preshevë: Po tenton ndryshimin e strukturës etnike, ka miratimin e Ramës

Berisha del nga Kuvendi dhe denoncon veprimet e Vuçiç në

Ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar disa veprime që ai i konsideron albanofobe, nga drejtuesit e Serbisë dhe Maqedonisë. Jashtë ambienteve të Kuvendit, Berisha tha se për këto vendime, Beogradi dhe Shkupi kanë marrë miratimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama

Sipas Berishës, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç po tenton ripopullimin e Luginës së Preshevës me refugjatë nga territore të Ballkanit dhe jo vetëm.

“Dua të denoncojë qëndrimet albanofobe të Aleksandër Vuçiçit dhe Edvin Kristaq Ramës. Regjimi i Vuçiç ka ndërmarrë masa antishqiptare ndër më të egrat që ka njohur Presheva ndonjëherë në historinë e tyre. Ai synon ripopullimin e këtyre trevave shqiptare me refugjatë nga territore të tjera të Ballkanit dhe jo vetëm. Regjimi i Vuçiç ka zëvendësuar udhëheqësit vendor legjitim të shqiptarëve me vasal të tij, të cilët arrijnë të marrin në një mbledhje më shumë se 50 vendime të diktuara nga Beogradi dhe të miratuara nga Edvin Kristaq Rama”, tha Berisha.

Berisha foli edhe për vendimin e Gjykatës së Shkupit për të dënuar me mbi 700 vite burg anëtarët e të ashtuquajturit ‘Grupi i Kumanovës’, ngjarje për të cilën ai akuzoi shërbimet sekrete të Maqedonisë, Serbisë dhe Rusisë.

“Forca albanofibike dënoi me 700 vite burg shqiptarët në procesin e Kumanovës. Një proces i stisur tërësisht nga shërbimet sekrete të Shkupit, Beogradit dhe me siguri edhe ato ruse. Albanafobët nuk kishin qëllim tjetër veçse të shpopullonin qytetin përjetësisht shqiptar të Kumanovës”, tha ish-kryeministri Berisha.

Të fundit