Flash News

KRYESORE

Berisha në Bruksel kritika të ashpra për Bashkimin Europian: Konfliktet në rajon nuk i zgjidhni ju, por SHBA. Nuk keni financuar asnjë projekt

Berisha në Bruksel kritika të ashpra për Bashkimin Europian:

Ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë i ftuar në forumin e ‘Crans Montana’ që po zhvillohet në Bruksel të Belgjikës, ku mbajtur edhe një fjalim të gjatë. Ato që u vunë re në fjalimin e ish-kryeministrit ishin kritikat e shumta drejtuar Bashkimit Europian dhe qasjes ndaj rajonit të Ballkanit, kryesisht të ashtuquajturit Ballkani Perëndimor.

Berisha theksoi se konfliktet e fundit në Shqipëri, Maqedoni dhe ai midis Kosovës dhe Serbisë, janë zgjidhur vetëm pas ndërhyrjes së SHBA, jo nga Bashkimi Europian. Ai kritikoi Brukselin edhe për faktin se në këto dekada ka dhënë miliarda euro ndihmë bujare vendeve të Ballkanit, por nuk ka sponsorizuar asnjë projekt real dhe këtu veçoi rastin e Korridorit 8, që lidh Bullgarinë me Shqipërinë.

Pjesë nga fjalimi i Berishës:

Nëse marrim çështjet e sigurisë, rajoni nuk është ende i sigurtë. Ai ka fituar luftën por ende jo paqen. Dua t’u rikujtoj se rreth nje vit më parë ishin të mundura të paktën tre konflikte në rajon; një midis Serbisë dhe Kosovës, një tjetër brenda Maqedonisë, tjetri brenda Shqipërisë. Kjo është e vërteta. Kush i zgjidhi këto? Asistent Sekretari i Shtetit i zgjidhi ato. Nuk ishte Komisioni Europian, nuk ishte Bashkimi Europian. Konfliktet po zhvilloheshin, po degradonin dhe fatmirësisht ato u zgjidhën pa u përkeqësuar.

Ballkani ka qënë, për shumë arsye, një rajon i panjohur për Europën, mbi 40 vitë në diktatura dhe izolim kam frikë se ende nuk është i njohur. Shihni terminologjinë. Përdornin termin Ballkan, tani Ballkan Perendimor. E shpikën këtë term pasi Ballkani Perendimor nuk ka ekzistuar kurrë. Mund të lexoni me mijëra libra dhe këtë term nuk do ta gjeni kund. Burokratët në Bruksel shpikën këtë term. Bashkimi Europian ka dhënë miliarda e miliarda euro ndihmë bujare vendeve tona por në këto tre dekada nuk ka asnjë projekt real të sponsorizuar nga BE për këtë rajon. Janë të trembur nga influenca kineze apo turke.

Më thoni pse Viktor Orban dhe Aleksander Vuçiç do refuzonin qe autostradën midis Budapestit dhe Beogradit ta financonte Kina ndërkohë që nuk u financua nga BE.

Autostrada që lidh Beogradin dhe Budapestin është një investim kinez, nuk është një investim i BE. Autostrada që do lidhë Beogradin me Sarajevën do jetë një investim turk. TAP është një përpjekje lokale e qeverive të rajonit dhe investim i nje konsorciumi kryesisht privat. Korridori 8 që nga 91 është në tavolinë dhe njëriu që e shtyu më shumë ndërtimin e atij korridori ishte Bill Clinton. Ai dekretoi një fond për studimin e fizibilitetit dhe hapi një zyrë në Sofje, por ky projekt tani është i vdekur. Për rajonin janë jetike projektet rajonale.

Të fundit