Flash News

KRYESORE

Beteja maratonë me drejtësinë/ Si nisi historia e Sajmir Tahirit nga 'kampion' në 'kurban' të Ramës e deri në mbërritjen në pikën "0" të karrierës së tij

Gjykata e Apelit ka rrëzuar vendimin e shkallës së parë për ish- ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri duke e rikthyer sërish çështjen për gjykim. Vendimi i marrë në seancën e sotme, që zgjati rreth 30 minuta, e ka rikthyer çështjen në pikën zero.

Trupa gjykuese u shpreh se nuk ka asnjë provë për shpërdorim detyre, për të cilën u dënua Tahiri, çka do të thotë se ish-ministri do të rinisë nga e para përballjen me drejtësinë në Gjykatën e Posaçme, si i akuzuar për trafikun ndërkombëtar të drogës me grupin kriminal “Habilaj”. Vendimi i shkallës së parë që dënoi Tahirin me 3 vite shërbim prove tashmë është rrëzuar.

Në një prononcim për mediat, Tahiri është shprehur i zhgënjyer nga vendimi i Gjykatës për t’i zvarritur më tej gjërat, duke cilësuar se është i pafajshëm. Ai po ashtu, paralajmëroi se  nëse situata vijon të tejzgjatjet në kohë, nuk ka më në plan të vijoj me një proces të shkurtuar gjyqësor, por do t’i kthehet gjykimit normal me prova,fakte dhe dëshmitar; duke shtuar se “ka shumë emra që duhet të dalin para drejtësisë”.

Mirëpo, përtej procesit të sotëm, si nisi historia e Sajmir Tahirit? Si u kthye ministri nga “kampion” në “kurban” të Ramës? Mesazhet e koduara që ata i nisnin njëri-tjetrit. Dhënia e vendimit të Gjykatës së shkallës së parë, tek apelimi.

Kalvari i Ministrit të Brendshëm në qeverinë “Rama 1”, Sajmir Tahiri, në kërkim të drejtësisë fillon në momentin kur, emri i ish-ministrit dëgjohej të përmendej në disa audio-përgjime të grupit të Habilajve.

Në verën e vitit 2014, kur autoritetet italiane kishin konstatuar kulmin e aktivitetit kriminal të klanit narko-trafikant “Habilaj”, në përgjimet e Prokurorisë së Katanias (e cila kishte nën vëzhgim këtë grup prej një viti), gjendet e regjistruar edhe një bisedë e datës 10 Korrik 2014. Përgjimi provonte se kreu i grupit kriminal, Moisi Habilaj ka shoqëruar gjatë një udhëtimi në Itali shtetasit Bashkim Tahiri dhe Fatlinda Tahiri, përkatësisht babai dhe bashkëshortja e Saimir Tahirit.

Skandali hidhte hije dyshimesh për bashkëpunimin e ish-ministrit me grupin e Habilajve, Artan e Moisi Habilajn, sidomos gjatë vitit 2014, kur klani Habilaj ka trafikuar, me ndihmën e zyrtarëve policorë, tonelata kanavis sattiva drejt Italisë.

Pas 11 muajsh hetime, Tahiri do të akuzohej nga Prokuroria tre vepra të rënda penale: "Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “ Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.”Me 4 episode trafikimi droge nga 2013-2015, por pa dhënë detaje për rolin konkret të tij, prokuroria kërkonte si të pandehur jo vetëm ish-ministrin, por së bashku me të edhe Jaleld Celën (për favorizim të trafikut të drogës për Habilajt), Sokol Boden, asokohe drejtor i postës në Dhërmi dhe Gjergji Kohilën, ish-shefi i Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Vlorë.

19 tetorit 2017; Ishte dita kur Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte dorëzuar në Kuvend kërkesën për arrestimin e një prej emrave më të fuqishëm brenda radhëve të partisë së Edi Ramës. I ftuar në “Opinion”, Sajmir Tahiri do të mbahet mend për “mesazhin” e koduar që i dërgoi nën rreshta shefit të tij, për faktin se ndihej i tradhtuar.

S’kam asnjë marrëveshje dhe s’kam as nevojë të bëj marrëveshje me të. As dëshirë s’kam të bëj marrëveshje. Por të them një të vërtetë, jo domosdoshmërisht është marrëveshje Fevzi. Ti këtë e thua se e para ke në mend se jam i tradhtuar dhe e dyta e mendon se kam bërë një marrëveshje. Unë me Edi Ramën dhe me këdo s’kam as ndërmend as dëshirë të bëj marrëveshje për të vërtetën që dua ta kërkoj vetë”, tha Tahiri.

Ish-ministri Tahiri nuk u arrestua një ditë pas atij emisioni pasi kryeministri Rama ndërroi mendje dhe nga një “dru i shtrembër” nisi ta quajë atë një“njeri që i kishin rënë në qafë pa të drejtë”, madje duke shtuar më vonë se duhet t’i kërkonin falje.

Shumë aludime u bënë në atë kohë dhe shumë analiza, sidomos për një fjali që Tahiri kishte lëshuar në mëngjes duke dalë nga shtëpia. “Nuk keni parë gjë akoma”, tha ai për gazetarët duke vënë në gojën e tij një frazë të Edi Ramës në fjalimin e tij të parë si kryeministër në parlament në 2013-ën.

Mirëpo, sinjalet ndaj Ramës, Saimir Tahiri vijoi t’i përdorëte si taktikë sa herë që ndihej në vështirësi.  Dhe më e famshmja ishte ajo e 19 prillit 2018, kohë kur emri i tij përmendej në të gjitha raportet e ndërkombëtarëve.

Presioni i tyre ishte shtuar dhe Saimir Tahiri, ende deputet, u paraqit në parlament pas gati 6 muajsh mungesë. Dy javë më pas ai do ta linte mandatin e deputetit, por përpara se të bënte këtë, lëshoi një tjetër deklaratë të fortë në oborrin e parlamentit.

“Kush e ka marrë heshtjen time për dorëzim, është gabuar. As më mbron njeri dhe as dua të më mbrojë… Për mua ka vlerë e vërteta dhe nuk ka vlerë askush që nuk mund, ose mund të më pengojë në rrugën time për të bërë drejtësi, nuk e besoj që do ketë bir nëne dhe bir kurve që do të më pengojë”, tha Tahiri.

Në 3 maj 2018 Saimir Tahiri la mandatin e deputetit. Dalja e tij para mediave ishte e mbushur me mesazhe për Ramën, madje disa të drejtpërdrejta, duke futur në të njëjtën fjali edhe Lulzim Bashën edhe Edi Ramën.

“Një herë shtyllë e krimit, një herë dru i shtrembër, vrasin natën e të qajnë ditën”,  tha ai duke shtuar:“Tani janë bërë të gjithë bashkë përballë meje, e pushka top t’u bëhet unë këtu jam e do ia dal”.

Edi Rama e kishte zhgënjyer me fjalën e mbajtur në parlament, kur lavdëroi opozitën për denoncimin e fenomenit të kanabisit, por më tepër ndihej i lënduar nga pasardhësi i tij, Fatmir Xhafaj.

“Edi Rama në fillim të Parlamentit i falënderoi për kontributin opozitar, kurse pasardhësi im në detyrë, me akuza për policinë e kriminalizuar, ia kaloi dhe Saliut dhe Lulit” – tha Tahiri i cili duke ngritur gishtin dhe tonin e zërit u shpreh: “Nuk më paskeni njohur fare dhe rimendojeni mirë”.

Në 1 nëntor 2018, Saimir Tahiri doli sërish përpara gazetarëve. Sapo kishte marrë një dokument nga Italia ku thuhet se atje nuk kishte më hetime ndaj tij, pasi deklaratat e trafikantëve të drogës nuk mund të provoheshin. Ndërsa, fliste për herë të parë për “një dorë të zezë”.

“Kam diçka me rëndësi, që dua ta ndaj me ju dhe publikun, sepse besoj se e vërteta nuk rri dot fshehur sado të mundohet e sponsorizojë “dora e zezë” që fshehtas e filloi më mua e po vazhdon më shumë akoma tani e ndoshta më keq pastaj”, tha Tahiri. Togfjalëshi “dorë e zezë” i përmendur disa herë në fjalimin e tij ngrinte dyshime.

26 mars 2019; Ish-ministri i Brendshëm, teksa dilte nga një seancë maratonë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku mori zyrtarisht statusin e “të akuzuarit” në çështjen “Habilaj”, ka kërcënuar sërish përmes një mesazhi të koduar kryeministrin Edi Rama duke i përmendur “kurbanin”. Një libër i kreut të qeverisë mban pikërisht këtë emër.

“Nuk e ndjej veten asgjë nga ajo që ju thatë. Di të them që drejtësia i ka shumë borxhe njerëzve. Në këtë vend në 25 vite kanë qeverisur njerëz që kanë vrarë dhe vjedhur. Unë nuk kam vjedhur dhe vrarë kërkënd. Nuk është e kollajtë të jem unë kurban”, tha Tahiri për mediat pas seancës që zgjati rreth 8 orë.

Të pyetur drejtpërdrejtë rreth mesazheve të koduara që dy palët shkëmbenin me njëri tjetrin, të dy palët e mohuan kategorikisht këtë gjë.

“Jo aspak, unë kur kam për të çuar mesazhe e çoj në mënyrë të drejtpërdrejt s’kam nevojë për kode”, tha Tahiri.

Ndërkaq, vetë Rama tha se i vinte për të qeshur kur dëgjonte këto aludime.

“Është një gjë që mua më bën për të qeshur, që Saimir Tahiri apo dikush tjetër më bën mua presion. Unë nuk besoj që ka në këtë histori lidhje fjala presion me mua personalisht… Për mua nuk ishte mesazh i koduar. Mua më vjen për të qeshur. Ajo që mund të them që një pjesë e madhe e atyre që komentojnë jetën politike duan t’i bindin të tjerët, atë që besojnë vetë, lidhur me mua, e si funksionoj unë. Kjo më bën për të qeshur, që Saimir Tahiri apo kushdo tjetër më bën mua presion”, tha Rama.

Megjithatë, dyshimet se kryeministri dhe ish-Ministri i Brendshëm kanë shkëmbyer me mesazhe të koduara vijon të mbetet.

19 shtator 2019; Bien të gjitha akuzat për trafik droge në bashkëpunim dhe grup të strukturuar kriminal mbi të cilat Prokuroria kërkoi që ish-ministri i Punëve të Brendshmë të dënohej me 12 vite heqje lirie; Saimir Tahiri nuk do të bënte asnjë ditë burg! Vendimi i marrë nga Gjykata e ishte dënimi i tij me 5 vjet burg për shpërdorim detyre, dënim ky i cili do të konvertohej në 3.4 vite burgim për shkak të gjykimit të shkurtuar. Edhe këtë dënim, gjykata vendosi ta konvertojë në 3 vite shërbim prove, periudhë në të cilën ish-ministri nuk duhet të kryente asnjë vepër penale. Po ashtu, për 3 vite, ish-ministri Tahiri nuk duhet të ushtrojë funksione publike.

Në vendimin e arsyetuar të Gjykatës, në analizë të të gjitha provave të paraqitura nga Prokuroria, nuk rezultonte asnjë fakt, që ta përfshinte ish-ministrin në trafikun e drogës dhe bashkëpunimin me grupin kriminal të Habilajve, kryetari i të cilëve është Mojsi Habilaj, i arrestuar dhe në gjykim në Itali. Gjykata në arsyetimin e saj, pas përgjimeve edhe të prokurorisë italiane ku Habiljat diskutojnë për dhurata që do ja japin ministrit, arriti në konkluzionin se nuk ka prova të mjaftueshme që të tregojnë se këto dhurata apo shuma monetare se do të shkonin tek Tahiri.

Pas dhënies së vendimit, edhe pse i ranë të gjitha akuzat e prokurorisë, Saimir Tahiri ishte i bindur se dënimi i gjykatës ishte absurd dhe për këtë, vendimin do ta apelonte. Sipas tij, kjo ishte qesharake dhe se ai nuk mund të mbajë përgjegjësi për çdo idiot në fis që përmend emrin e tij( pasi ishte dënuar se disa kushërinjë kishin folur në emër të tij), duke shtuar se do të rilexojë vendimin për të kuptuar më shumë lidhur me vendimin e gjykatës.

"Më rezervoni të drejtën ta përtyp një herë këtë estradë që ndodhi. mesa kuptova, gjykata më tha që nuk jam kriminel nuk jam trafikant nuk jam pjesë e një grupi kriminal por me gjithë ca kushërinj të mi kanë përdorur emrin tim unë kam shpërdoruar detyrën. As qesh dot as qaj dot por nesër po ju ftoj të ndajmë bashkë ca mendime. Ku di unë mu duk një gjë e tipit, je i pafajshëm po s'kemi këllqe të ta themi”, do të shprehej Tahiri pas seance.

3 tetor 2019; Sajmir Tahiri apelon vendimin e shkallës së parë në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda. Ai kërkoi pafajësinë edhe për akuzën e shpërdorimit të detyrës, akuzë për të cilën Gjykata e dënoi me 3.4 vite shërbim prove.

Në këtë kohë, përveç Tahirit  pafajësinë në Apel e kërkoi edhe ish-drejtori i Policisë së Vlorës,  Jaeld Çela, i cili u dënua për shpërdorim detyre, pasi akuzohej nga Prokuroria se bashkë me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri kishin favorizuar grupin kriminal të Habilajve në trafikun e drogës Shqipëri-Itali.

26 qershor 2020; Ujërat rrodhën dhe pas disa seancash gjyqësore, Sajmir Tahiri nuk arriti dot të merrte pafajësinë e shumë-kërkuar as ditën e sotme në Apel. Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit ka rikthyer çështjen në pikën zero,çka do të thotë se ish-ministri do të rinisë nga e para përballjen me drejtësinë në Gjykatën e Posaçme, si i akuzuar për trafikun ndërkombëtar të drogës me grupin kriminal “Habilaj”.

Kjo pikë "0" në gjykimin e Tahirit mund t’i rrezikojë atij karrierën politike. Kjo pasi nëse ai shpallet fajtor, për çfarëdolloj akuze, nuk ka asnjë shans që të rikthehet në politikë, për shkak të ligjit të dekriminalizimit. Por, nëse ai shpallet i pafajshëm, të gjitha gjasat që të rikthehet në politikë (pavarësisht se nuk dihet se nën cilat ngjyra)./(Politiko.al/ B.L.)

https://politiko.al/beteja-e-tahirit-me-drejtesine-kthehet-ne-piken-0-ish-ministri-me-vjen-ndot-dhe-turp-nuk-e-prisja-kjo-eshte-padrejtesi/

https://politiko.al/u-perballa-si-qytetar-jo-si-vemjet-e-tjera-i-revoltuar-pas-procesit-paralajmeron-tahiri-ka-shume-emra-qe-duhet-te-dalin-para-drejtesise/

https://politiko.al/spak-shkeli-proceduren-kur-i-komunikoi-akuzen-sajmir-tahiri-tregon-arsyen-e-rikthimit-te-dosjes-per-rigjykim/

https://politiko.al/gjykata-e-apelit-rrezon-shkallen-e-pare-saimir-tahiri-do-te-gjykohet-nga-e-para-maratona-vazhdon/

https://politiko.al/140-faqe-vendim-per-saimir-tahirin-cfare-e-shpetoi-ish-ministrin-nga-akuzat-e-renda/

https://politiko.al/nuk-eshte-e-kollajte-te-behem-kurban-mesazhet-e-koduara-te-saimir-tahirit-para-denimit/

https://politiko.al/as-i-pafajshem-as-ne-burg-si-e-pasqyruan-gazetat-e-dites-denimin-e-saimir-tahirit/

https://politiko.al/saimir-tahiri-angazhon-kompani-amerikane-lobimi-zbardhet-motivi/

 

Të fundit