Flash News

KRYESORE

Betimi në noteri, VOA: Arta Vorpsi ka bërë shkelje të hapur të Kushtetutës

Betimi në noteri, VOA: Arta Vorpsi ka bërë shkelje të hapur

Arta Vorpsi ka bërë një shkelje të hapur të Kushtetutës duke bërë betimin e saj në noteri si gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese.

Kështu e ka cilësuar aktin e sotëm të gjyqtares Zëri i Amerikës, duke iu referuar nenit 129 të Kushtetutës se “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës”.

“Thellohet kaosi me emërimet në Gjykatën kushtetuese, e kthyer në një mollë sherri, mes Presidentit të Republikës Ilir Meta dhe shumicës së majtë qeverisëse. Arta Vorpsi, kandidatja e cila ishte e para në listën për vakancën e shpallur nga Kreu i Shtetit, e që sipas vendimit të botuar në Fletoren zyrtare, është shpallur automatikisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese, ka bërë një lëvizje të papritur, duke u betuar te një notere.

Përpara noteres Miranda Xhemalçe, ajo ka lexuar formulën e betimit: “Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia, do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”. Por me vetë aktin e betimit përpara një notereje, zonja Vorpsi, duket se ka bërë një shkelje të hapur, pikërisht të Kushtetutës e cila përcakton në mënyrë fare të qartë në nenin 129 se “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës”. Një kopje të betimit të saj, ajo ja ka dërguar dhe Presidenti Meta, ashtu dhe vetë Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se nuk është e qartë se cfarë vlere juridike mund të ketë një akt i tillë”, shkruan VOA në një shkrim lidhur me kaosin e ri që ka përfshirë ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.

Të fundit