Flash News

KRYESORE

Betohet kryebashkiakja e Durrësit, Dako i dorëzon detyrën Valbona Sakos

Betohet kryebashkiakja e Durrësit, Dako i dorëzon detyrën Valbona

Është konstituuar edhe këshilli bashkiak i Durrësit. Vangjush Dako i ka dorëzuar sot  detyrën kryetares të re së bashkisë Durrës, Valbona Sakos. Në mbledhjen e sotme u procedua edhe me zgjedhjen e kryetarit të këshillit bashkiak, Ani Dyrmishi.

Në këtë ceremoni merrnin pjesë kryebashkiaku për tre mandate radhazi i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, zv/ministrja e Brendshme Rovena Voda, prefekti Roland Nasto, deputetët socialistë të Durrësit, etj.

Kryebashkiakja e Durrësit Valbona Sako pasi ka bërë betimin ka falënderuar ish-kryebashkiakun Dako për punën e tij.

“Tashmë emocioni nuk është vetëm për mua, por për skuadrën tonë, që do të drejtojmë qytetin tonë të mirë, Durrësin. Realisht shoh që pjesa më e madhe janë të rinj, energjitë e të cilëve do të bëjnë ndryshimin. Para së gjithash dua të falënderoj paraardhësin tim, paraardhës i denjë, dhe sinqerisht ndjehem sa e emocionuar por edhe e vlerësuar që këtë detyrë e marr nga kryetari paraardhës, z. Vangjush Dako. Ndaj kërkoj një duartrokitje për të. Ta respektojmë siç i ka hije, një kryetar që punoi për 12 vjet për qytetin tonë.

Koha shënon sfida të reja dhe ne do t’i përgjigjemi këtyre sfidave, si vazhdim i zhvillimit të qytetit tonë të bukur, dhe pse jo mos ta bëjmë atë një qytet që të konkurrojë denjësisht qytetet turistike që kemi në rajon. Të gjithë bashkë do ta bëjmë me ide, me disponibilitet por edhe me dëshirën e mirë për të qenë aktiv në vendimet që do marrim.

Ndaj dëshiroj dhe uroj sot që të jemi sa më të dobishëm për qytetin tonë. Shumë faleminderit që jeni pjesë e imja, pjesë e qytetit.”- u shpreh Valbona Sako.

Të fundit