Flash News

KRYESORE

Betohet Qeveria e re e Italisë; Salvini merr Ministrinë e Brendshme, Di Maio Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik (Emrat)

Betohet Qeveria e re e Italisë; Salvini merr Ministrinë e Brendshme,

Në Itali është betuar Qeveria e re që përbëhet nga Lidhja e Veriut dhe Lëvizja 5 Yjet. 18 ministra do të ketë kjo Qeveri dhe vetëm pesë prej tyre janë gra.

Kryeministër i Italisë do të jetë Giuseppe Conte, ndërsa Luigi Di Maio dhe Matteo Salvini do të mbajnë postin e zv/kryeministrit. Di Maio ka marrë gjithashtu drejtimin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, ndërsa Salvini do të drejtojë Ministrinë e Brendshme.

Drejtimin e financave të Italisë do e marrë Giovanni Tria, një personalitet në këtë fushë dhe që ka një qëndrim më të zbutur ndaj përdorimit të monedhës euro. “Të largohemi nga euro do të thotë që të paguajmë vetëm pasojat dhe të mos përfitojmë asgjë”, ka deklaruar më parë Tria.

Ministër i Jashtëm është zgjedhur Enzo Moavero Milanesi, një europeist që i jep garanci Brukselit.

Paolo Savona u bë shkak që Italia të rrezikonte zgjedhjet e parakohshme. Propozimi i parë që ai të merrte drejtimin e Ministrisë së Financave nuk u pranua nga presidenti i vendit, për shkak të qëndrimeve kundër euros. Megjithatë, Europa do të ketë sërish punë me Savonën. Ai është përzgjedhur për të drejtuar Ministrinë për Çështjet Evropiane në Qeverinë e re.

Profil i Ministrit të Jashtëm:

Moavero, ndërmjetësuesi i aftë i Montit dhe i Letës në BE

Enzo Moavero Milanesi mbërrin tek ‘Farnesina’, MPJ, në një fazë shumë delikate për Italinë. Një europeist që udhëheq diplomacinë, duket gati një “furacak” në Qeverinë e re të ‘verdhë dhe jeshile’, njëkohësisht tingëllon si një garanci për Brukselin, sikurse deshte edhe presidenti Mattarella. Midis 2011 dhe 2014, me Italinë në vështirësi në Europë, Moavero – si përgjegjës i Çështjeve Europiane i qeverisë së Montit si fillim, dhe Enrico Letta më vonë - luajti personalisht një ndeshje të komplikuar për të sjellë vendin në pozicionin që meritonte në tryezat europiane.

Profili i ministrit për Çështjet Evropiane:

Paolo Savona, i diplomuar në ekonomi në vitin 1961, me një specializim në MIT të Bostonit, ka qenë drejtor i përgjithshëm i Konfindustria dhe një nga themeluesit e universitetit privat ‘LUISS’. Savona zbarkon  në drejtimin e Çështjeve Evropiane pas vetos që mori për drejtimin e Ministrisë së Ekonomisë. Një përfaqësues perfekt i Republikës së parë që ka kaluar me kokën lartë Republikën e dytë, dhe tani mban një pozicion të rëndësishëm në atë që Di Maio do të deshte të ishte Republika e tretë.

Dyshimet mbi profiliin e tij lidhen me tezat që ka mbi Europën, qartësisht anti-gjermane dhe në kundërshti me parimet e Maastricht, i bindur se monedha e përbashkët euro nuk do të ketë jetë të gjatë. “Nuk ekziston Europa, por një Gjermani e rrethuar nga frikacakë”, pohonte ai gati një vit më parë në një intervistë për gazetën ‘Libero’.

Qeveria e re e Italisë

Kryeministër: Giuseppe Conte

Ministër i Ekonomisë dhe Financave: Giovanni Tria

Ministër i Jashtëm: Enzo Moavero Milanesi

Ministër i Brendshëm: Matteo Salvini (zv/kryeministër)

Ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Punës: Luigi Di Maio (zv/kryeministër)

Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin: Riccardo Fraccaro

Ministër për Çështjet Evropiane: Paolo Savona

Ministre e Mbrojtjes: Elisabetta Trenta

Ministër i Drejtësisë: Alfonso Bonafede

Ministre e Administratës Publike: Giulia Bongiorno

Ministre e Shëndetësisë: Giulia Grillo

Ministre e Çështjeve të Rajoneve: Erika Stefani

Ministre për Jugun: Barbara Lezzi

Ministër i Ambientit: Sergio Costa

Ministër për Invalidët dhe për Familjen: Lorenzo Fontana

Ministër i Agrikulturës: Gian Marco Centinaio

Ministër i Transportit dhe i Infrastrukturës: Danilo Toninelli

Ministër i Arsimit: Marco Bussetti

Ministër i Trashëgimisë Kulturore dhe i Turizmit: Alberto Bonisoli

Politiko.al

Të fundit