Flash News

KRYESORE

Bie entuziazmi i Italisë për Shqipërinë: Negociata nëse ka rezultate të rëndësishme. Qeveria e Zaev, e dobët. Turqia jashtë BE-së

Bie entuziazmi i Italisë për Shqipërinë: Negociata nëse

Është publikuar raporti i Qeverisë Italiane për prioritetet brenda Bashkimit Evropian për vitin 2019-të. Një prej kapitujve i kushtohet aspiratës së shteteve të Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në BE.

Sa i përket Shqipërisë, Qeveria që drejtohet nga Matteo Salvini dhe Luigi Di Maio nuk tregon gatishmërinë e Qeverive të mëparshme italiane, kur mbështetja për vendin tonë, për hapjen e negociatave, ishte pothuajse pa asnjë hezitim.

Në dokument thuhet se Roma e pret me kënaqësi propozimin e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave me Shqipërinë, por mbështetjen do e japë vetëm nëse provohet se janë bërë përparime të rëndësishme nga pala shqiptare në përmbushjen e pesë kushteve të vendosura nga Bruskeli.

“Duke pranuar rekomandimin e Komisionit Evropian për nisjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, qeveria është e kushtëzuar nga monitorimi i progresit në pesë fusha prioritare (reforma në drejtësi, reforma e administratës publike, luftë kundër korrupsioni dhe krimi i organizuar, mbrojtja e të drejtave themelore), do të vazhdojë të inkurajojë vendin të ndjekë me vendosmëri rrugën e integrimit evropian. Nëse Komisioni është në gjendje të vërtetojë arritjen e rezultateve të rëndësishme nga Tirana në pesë sektorët e lartëpërmendur, Italia do të kërkojë hapjen e negociatave për Shqipërinë deri në fund të mandatit aktual të Komisionit”, thuhet në raportin e Italisë për Shqipërinë.

E konsideruar gjithnjë si ‘avokatja e Shqipërisë’ brenda Bashkimit Evropian, Italia ka dhënë mbështetje maksimale vitet e fundit për hapjen e negociatave, por në këtë raport të fundit, Qeveria e Edi Ramës kushtëzohet hapur me domosdoshmërinë për rezultate konkrete dhe të rëndësishme për të avancuar në rrugën evropiane.

Ndërkohë sa i përket Kosovës, Roma kërkon normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe jep mbështetje për liberalizimin e vizave me vendet e zonës Shengen.

Edhe për Maqedoninë e Veriut nuk paraqitet entuziazëm në raportin e Italisë. Shkak është dobësia e Qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev për të miratuar reforma të rëndësishme për të çuar përpara prespektivën evropiane të vendit.

Por pjesa që ka shkaktuar më shumë debat në Itali lidhet me Turqinë. Në raport thuhet se politika italiane është në linjë me atë të Bashkimit Evropian se “Turqia mbetet një vend kandidat për t’u anëtarësuar.”

Ky pohim solli reagimin e menjëhershëm të zyrtarëve më të lartë të Partisë Liga e Veriut, që drejtohet nga Salvini. Ata theksuan se qëndrimi i kësaj partie nuk ka ndryshuar dhe se Turqia nuk do të bëhet kurrë anëtare e Bashkimit Evropian, por gjithsesi, italianët do të synojnë të mbajnë gjithnjë marrëdhënie të mira me Ankaranë.

Për Serbinë dhe Malin e Zi, në raport jepet mbështetje për hapjen e kapitujve të radhës.

Të fundit