Flash News

KRYESORE

Bie NAFTA, bashkë me të edhe Justin Trudeau; Donald Trump shpall paktin e ri tregtar me Kanadanë dhe Meksikën

Bie NAFTA, bashkë me të edhe Justin Trudeau; Donald Trump shpall

“Është marrëveshja tregtare më e madhe dhe më e mirë e arritur ndonjëherë në botë,” me këto fjalë e karakterizoi presidenti i SHBA, Donald Trump dhe anëtarët e administratës së tij një pakt të ri tregtar me fqinjët, Kanadanë dhe Meksikën.

"Kjo marrëveshje historike do të sjellë me shumicë para dhe vende pune në Shtetet e Bashkuara dhe në Amerikën e Veriut," parashikon Presidenti Trump.

Pas diskutimeve intensive të minutës së fundit, përpara një afati që skadonte mesnatën e së dielës, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja njoftuan se kishin arritur një marrëveshje që NAFTA, Marrëveshja për Tregtinë e Lirë e Amerikës së Veriut, të zëvendësohet me një pakt të modifikuar tre-palësh SHBA-Kanada-Meksikë.

"Kjo është një marrëveshje e shkëlqyer për të gjithë ne," tha zoti Trump në një fjalim për të festuar fitoren Kopshtin e Trëndafilëve në Shtëpinë e Bardhë, ku foli në praninë e disa anëtarëve të kabinetit dhe negociatorëve tregtarë të cilët punuan për të arritur Marrëveshjen SHBA-Kanada-Meksikë, që do të quhet USMCA, raporton 'VOA'.

Pakti, që nënkupton transaksione tregtare me vlerë 1.2 trilionë dollarë në vit, bazohet mbi "drejtësi dhe reciprocitet", sipas Presidentit Trump, i cili shtoi se ai u arrit pas mosmarrëveshjeve me homologët e tij në Mexico City dhe Ottawa, Enrique Pena Nieto dhe Justin Trudeau.

Presidenti Trump tha se kishte folur të hënën me të dy udhëheqësit.

Marrëveshja do të konsolidojë rajonin e Amerikës së Veriut "si një nga më konkurruesit në botë", sipas komenteve të presidentit meksikan në Twitter.

"Kjo marrëveshje e bën partneritetin tonë edhe më të fortë dhe prej saj përfitojnë njerëzit në të gjithë Amerikën e Veriut", tha kryeministri kanadez, Trudeau, i cili kishte kundërshtuar më herët ndryshimin e marrëveshjes midis tre shteteve.

Pakti pritet të nënshkruhet brenda 60 ditëve nga të tre udhëheqësit, ndoshta në takimin e Grupit të 20-s (G-20) në fund të nëntorit në Argjentinë.

Në bazë të marrëveshjes, do të reduktohet prodhimi jashtë vendit i automobilëve amerikanë dhe pjesëve të tyre, tha Presidenti Trump, i cili parashikon se "sapo të miratohet, marrëveshja do të shënojë një agim të ri për industrinë automobilistike amerikane dhe punonjësin amerikan të kësaj industrie", duke e kthyer vendin përsëri në "një fuqi të madhe të prodhimit industrial."

Presidenti Trump e kishte bërë kritikën për marrëveshjen NAFTA njërin ndër elementët kryesorë të fushatës së tij të suksesshme presidenciale në vitin 2016, duke e quajtur atë marrëveshjen më të keq tregtare në histori dhe duke fajësuar NAFTA-n për humbjen e vendeve të punës në SHBA që kur hyri në fuqi në vitin 1994.

Marrëveshja SHBA-Kanada do të rrisë qasjen amerikan në tregun kanadez të qumshtit, njëkohësisht duke mbrojtur kanadezët nga tarifat e mundshme amerikane.

Megjithatë, tarifat e çelikut dhe aluminit të imponuara nga Uashingtoni do të mbeten. Kanadaja kishte kërkuar mbrojtje nga tarifat e Presidentit Trump për çelikun dhe aluminin kanadez të importuar në SHBA.

Të fundit