Flash News

KRYESORE

Bilanci/ Mbi 10 mijë shqiptarë ndalohen të udhëtojnë në zonën Shengen

Bilanci/ Mbi 10 mijë shqiptarë ndalohen të udhëtojnë

Janë mbi 10 mijë shqiptarë që gjatë nëntë muajve të fundit u është ndaluar hyrja në zonën Shengen, njofton Policia e Shtetit. Sipas drejtorit të Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Eduart Merkaj, u është ndaluar përkohësisht hyrja në zonën Shengen 10.684 shtetasve shqiptarë, mes të cilëve 735 janë të mitur.

“Gjatë periudhës janar - shtator, nga shërbimet e Policisë Kufitare, në të gjitha pikat e kalimit kufitar u është ndaluar përkohësisht udhëtimi drejt zonës Schengen 10 684 shtetasve shqiptarë ose 30% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ndër të cilët 735 shtetas të mitur që nuk kanë plotësuar kriteret për të udhëtuar jashtë vendit. Njëkohësisht nga ana e Policisë Kufitare në bashkëpunim me Strukturat e Drejtorive Vendore të Policisë në qarqe janë duke u ndjekur dhe verifikuar 14 raste të braktisjes së fëmijëve nga prindërit, me qëllim përfitimin e azilit në Francë apo Gjermani, tha Merkaj.

Ai shtoi se duke filluar që nga muaji janar e deri tani janë regjistruar dhe goditur 1427 rasti paligjshmërie.

"Janë kapur 376 persona në kërkim, janë identifikuar 285 raste të përdorimit të dokumenteve të falsifikuara ose 33% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe janë sekuestruar 398 dokumente të falsifikuara ose 30% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Si rezultat i masave të shtuara në kufirin jeshil, janë proceduar penalisht 819 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit dhe janë kapur nga patrullat e Policisë Kufitare në afërsi të kufirit jeshil, në tentativë për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme 8 795 shtetas, të cilët janë ndëshkuar me masë administrative gjobë", ka sqaruar drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin.

Ndër shkelje të tjera ai përmendi edhe 29 raste të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm kufiri.

Të fundit