Flash News

KRYESORE

Bilanci i shekullit të Nexhmijes/ Si u fundos 'familja e parë' e Bllokut: nga 'rrëzimi' i Enverit më 20 shkurt, te intervistat e Liljanës dhe Ermal Hoxha narkotrafikant

Bilanci i shekullit të Nexhmijes/ Si u fundos 'familja e

Politiko.al

Nexhmije Hoxha po i afrohet shekullit (gjatë të cilit ka parë shumë), duke u bërë një prej njerëzve më jetëgjatë, ndër ata që kanë pasur dorë në drejtimin e vendit. 20 shkurti është dita e rrëzimit të shtatores së diktatorit Enver Hoxha, e cila përkujtohet nga antikomunistët si një nga vendimtaret për përmbysjen e komunizmit në Shqipëri.

Nëse zonja Hoxha do të bënte një bilanc të trashëgimisë së sistemit, kolektiv dhe personal, të cilin ajo, i shoqi dhe bashkëpunëtorët e tyre, u munduan të ngrinin në Shqipëri, si do të vijonte lista?

Së pari, dy data përkujtimore janë vazhdimisht në një kurs përplasjeje: 16 tetori, dita e lindjes së Enver Hoxhës, dhe 20 shkurti, dita e rrëzimit të monumentit të tij në qendër të Tiranës. Pavarësisht një grupi, kryesisht sklerotikësh, mund të thuhet se data 'mainstream' (e pranura publikisht) është 20 shkurti. Nëse '16 tetorsat' mud të konsiderohen si ilegalë, '20 shkurtsat' janë plotësisht legjitimë në datën dhe përkujtimin e tyre.

Së dyti, kjo në një rrafsh personal, disa gjëra kanë ndodhur, të mjaftueshme për të përmbysur atë që mund të quhet përpjekja për ruajtjen e një imazhi të përkorë, puritan dhe të 'idealit komunist' të 'familjes së parë të Shqipërisë', e cila shërbente si 'model' për të tjerat.

Liljana Hoxha, nusja e njërit prej djemve të Enverit, prej vitesh është personazh i tabloideve dhe shtypit të verdhë me intervistat e saj haluçinante, të cilat flasin për një familje edhe më haluçinante, pikërisht 'klanin Hoxha'.

Nipi i Enver Hoxhës, Ermali, është duke vuajtur dënimin si i përfshirë në trafik droge, një tregti dhe konsum që konsiderohej 'shfaqje e huaj' në Shqipërinë komuniste të gjyshit të tij. Ai që duhet të shërbente si 'model' për rininë shqiptare, në imagjinaren e Enver dhe Nexhmije Hoxhës, u bë antimodeli dhe e përfaqëson 'kapitalizmin', sistemin armik të socializmit, nëpërmjet shenjave më të këqija.

Nusja e Ermal Hoxhës, një këngëtare e muzikës së 'lehtë', një prej atyre që me një të njëmijtën e 'sjelljeve' apo lëvizjeve në skenë, në Shqipërinë e gjyshit të bashkëshortit të saj, do të dënohej me internim apo më shumë. Kujtoni Festivalin e 11-të të Këngës në Radiotelevizion.

Ish-familja e parë e Shqipërisë, në finalen e 100 vjetëshit të saj, u ka dëshmuar shqiptarëve, të cilëve u projektohej rrejshëm nën dritat e frikës dhe të dhunës shtetërore, si 'e zgjedhur' dhe 'e shenjtë', shenja të vulgaritetit.

Koha e ka këtë forcë: iu jep kohë dhe mundësi të gjithëve për të dëshmuar thelbin.

 

Të fundit