Flash News

KRYESORE

Biznesmeni në krah të banorëve të’ Unazës së Re’: S’dua të ec në një rrugë që shkatërron jetën e njerëzve

Biznesmeni në krah të banorëve të’ Unazës së

Biznesmeni Nikollaq Neranxi, njëherësh kryetari i shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë ka dalë në mbrojtje të banorëve të ‘Unazës së Re’ të cilët kundërshtojnë vlerën e kompensimit të akorduar nga qeveri për 360 shtëpitë e tyre.

Neranxi, një ish-deputet i LSI thekson se ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit dhe është kundër përdorimit të dhunës ndaj banorëve dhe për më tepër nuk do të donte të ecte në një rrugë, që për ndërtimin e së cilës janë shkatërruar disa jetë njerëzish.

“Në fakt doja që këtë skenë dhune nga ana e policisë, ta bëja menjëherë publike, por mendova se do dukesha i pabesueshëm meqë nuk arrita të merrja një video. Por kur pashë dje se si në mes të ditës, policët bënë të njëjtin veprim, duke marrë zvarrë dhe duke goditur një adoleshent, aty mendova që kjo polici e cila mbahet me taksat tona, as do t’ja dijë për respektimin e ligjeve, por vijon të bëjë veprime antiligjore, nën urdhrat e pushtetit. Pra policia është qeveria dhe kjo qeveri e merr zvarrë këtë popull, sapo ai ngrihet të kërkojë të drejtat e tij. Ai e tall, e përdor për show kur do të ndajë ndonjë certifikatë legalizimi dhe kur i intereson, i thotë ik që aty se ti je zaptues”, sqaron ai, duke shtuar:

“Në një vend ku ka institucion legalizimi kjo nuk është e drejtë, por kjo nuk është as njerëzore, nuk është demokratike, nuk respekton as të drejtat e njeriut. Atij që i merr banesë, duhet t’i japësh banesë! Të gjithë e duam infrastrukturën e zhvilluar, por jo në kurriz të jetës së atyre fëmijëve që protestojnë për ditë. Nuk dua unë të ec në një rrugë të bukur, për ndërtimin e së cilës u shkatërrua jeta e shumë njerëzve. Sepse shtëpia është jeta! Dhe sa për propagandën për të cilën kjo qeveri ka talent të spikatur, teksa thonë që po ju dhamë shtëpi banorëve të Astirit, do bëjmë më pak shkolla dhe kopshte, unë mendoj se nuk ka nevojë fare të kufizohen me këto investime, mjafton që të vjedhin më pak dhe të gjitha bëhen”, përfundon Neranxi.

Banorët, përveç të tjerash dyshojnë se pas ndërtimin të rrugës fshihen edhe interesa financiare të lidhur me mazhorancën.

Të fundit