Flash News

KRYESORE

Bllokimi i interkonjeksionit, Rama nuk guxon të përmendë Serbinë gjatë mbledhjes së dy qeverive

Bllokimi i interkonjeksionit, Rama nuk guxon të përmendë

Kryeministri Edi Rama ka ngritur shqetësimin për bllokimin e linjës së interkonjesionit mes Shqipërisë dhe Kosovës, në mbledhjen e dy qeverive të zhvilluar në Korçë. Linja 400kv po bllokohet nga Serbia, ndërkohë që Shqipëria dhe Kosova po paguajnë rreth 70 milionë euro kredi për një investim që nuk po përdoret.

Rama nuk ka guxuar të përmend në emër Serbinë si bllokuesen e kësaj linje, por është përpjekur të theksojë se ky investim ka ndikim rajonal dhe jo vetëm për Tiranën e Prishtinën.

“Edhe pse ka përfunduar linja e interkonjeksionit 400kv mes dy vendeve, që për fat të keq nuk po vihet në punë për shkak të pengesave proceduriale të krijuara nga jashtë, mbetemi në një impas sa të palogjikshëm aq edhe të dëmshmëm në raport me këtë investim kaq të rëndësishëm. Kjo linjë e interkonjeksionit është pa as më të voglin dyshim një aks strategjik për të rritur ndërveprimin dhe jo thjesht për të afruar shumë më tepër dy shtetet tona, por për të konsoliduar një proces tërësor rajonal. Të parit e kësaj linje thjesht si një linjë mes Shqipërisë dhe Kosovës është një mënyrë e të parit me të cilën ne nuk pajtohemi dhe do të bëjmë përpjekje që kjo të ndryshojë”, u shpreh Rama në krah të kryeministrit kosovar, Ramush Haradinaj.

Kosova nuk njihet nga rrjeti Europian i Operatorëve të Transmetimit të Energjisë elektrike për shkak se Serbia ka kërkuar që Kosova të njohë operatorin serb të shpërndarjes së energjisë në veri të vendit në shkëmbim të njohjes së Operatorit të Transmetimit të Kosovës si entitet më vete.

Të fundit