Flash News

KRYESORE

Bllokohen 30 ton miell nga Kosova, eksperti: Po provokohet luftë ekonomike mes dy shteteve

Bllokohen 30 ton miell nga Kosova, eksperti: Po provokohet luftë ekonomike

Ish-sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, Vojo Bregu ka reaguar pas njoftimit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit se ka bllokuar 30 ton “miell gruri” që vinte nga Kosova.

Në njoftimin e AKU-së thuhet se “pas ekzaminimeve laboratorike niveli i proteinës (në miell) rezultoi të ishte 11.37 % , 11.44% dhe 11.5%, ndërkohë që në fletë analizën që shoqëron produktin, niveli i proteinës është shënuar 12.08% kurse në ambalazhin e produktit është max 13%.”

Por sipas Bregut, diferenca e mungesës së proteinës është e papërfillshme sa për të marrë vendimin e bllokimit dhe beson se kjo bëhet për të provokuar një luftë ekonomike me Kosovën.

Njoftimi i AKU:

Në kuadër të masave të përforcuara për sigurinë e cilësinë ushqimore të produkteve që importohen, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka konstatuar dhe bllokuar një ngarkesë prej 55 ton “miell gruri”.

Trupa inspektuese e DRAKU, Kukës gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën Doganore Morinë evidentuan 2 subjekte të cilët do të fusnin në Republikën e Shqipërisë produktin “miell gruri” me origjinë nga Kosova dhe Serbia.

Konkretisht, për ngarkesën 30 ton “miell gruri” nga Kosova me nr.loti 06, pas analizave të kryera nga laboratori i DRAKU, Durrës ky produkt rezultoi me nivelin e proteinës më të ulët se ai i deklaruar në dokumentacion dhe më i ulët se norma e lejuar për prodhim buke. Konkretisht sipas ekzaminimeve laboratorike niveli i proteinës rezultoi të ishte 11.37 % , 11.44% dhe 11.5%, ndërkohë që në fletë analizën që shoqëron produktin, niveli i proteinës është shënuar 12.08% kurse në ambalazhin e produktit është max 13%.

Reagimi i Vojo Bregut:

Provokimi i panevojshëm i një lufte ekonomike me Kosovën, për një diferencë me presje dhjetore prej vetëm 0.55 % të nivelit proteinik të miellit, për interesa klienteliste dhe kulte financiare, do të sjellë pasoja të rënda në ditët e ardhshme, për bizneset shqiptare që eksportojnë në Kosovë. Kosova nuk do të eksportojë më miell në Shqipëri, pasi është produkti i vetëm që eksporton, në vlerën e rreth 8-10 milionë EURO-ve. Shqipëria nuk do të eksportojë më produkte në Kosovë në vlerën e 450-500 milion EURO-ve. Diferenca është e qartë.

P.S. Për ta bërë te kuptueshme, mielli i bllokuar nga Kosova kishte niveli proteinik 11.45% nga 12% që duhet të jetë. Italia e ka 9 % nivelin minimal te proteinës në miell.

Të fundit