Flash News

BLOGU I EKONOMISË

Duke marrë shkas nga mbledhja e qeverisë ku u vendosur rritja e pagës minimale, desha të pyes si qëndron e vërteta, është kjo një rritje reale apo e sforcuar?!

Duke marrë shkas nga mbledhja e qeverisë ku u vendosur rritja e

Përgjigje:

E nderuar lexuese. Marrëdhënia mes qeverive dhe shpenzimeve nga buxheti i shtetit është e lidhur ngushtë me pritshmëritë e ndërsjella që kanë mes tyre. Qytetarët presin të kenë sa më shumë përfitime prej qeverive ndërsa këto të fundit të kenë sa më shumë vota që të mund të zgjasin apo rinovojnë mandatin e tyre.

Për t’ia arritur këtyre qëllimeve, qeveritë përdorin një instrument mjaft efikas që quhet politikë publike, në thelb të së cilës është përdorimi i një instrumenti ligjor dhe/ose fiskal (tatimor) me qëllim rritjen e mirëqenies së një grupi të caktuar shoqëror (kryesisht shtresave në nevojë) dhe në disa raste të të gjithë shoqërisë.

Në thelb të cdo politike publike qëndron dëshira dhe vullneti i Qeverisë për të përmirësuar ose rritur mirëqenien e një pjesë të shoqërisë apo të të gjithë shoqërisë në vetvete. Pikërisht, “Paga Minimale” është një instrument i politikës publike me anë të të cilit Qeveria synon të mbrojë qytetarët me një nivel simbolik të të ardhurave, por që ndodhen në kushte të pafavorshme për të negociuar pagën me punëdhënësit e tyre për shkak të kushteve të caktuara të tregut (kërkesë/ofertës).

Psh. rasti më ideal për të demonstruar këtë fenomen do të ishte sektori i fasonerisë, ku kërkesa për krah pune (punonjës) nga bizneset për shumë vite ka qenë shumë herë më e vogël se oferta për punë nga qytetarët që donin të punonin në këtë sektor. Për shkak të ofertës më të lartë (më shumë individë të gatshëm për të punuar), tendenca e bizneseve (punëdhënësve) ishte të mbanin rroga të ulëta. Pikërisht për këtë qëllim aplikohet instrumenti i Pagës Minimale, i cili synon të neutralizojë këtë disballancim të kërkesë/ofertës në treg.

Niveli i Pagës Minimale, përcaktohet nga Qeveria bazuar në kushte të caktuara të ekonomiko-sociale dhe indikatorë të ndryshëm si niveli i papunësisë, inflacioni, paga mesatare etj.

Një tjetër arsye pse qeveritë synojnë të mbajnë një nivel të caktuar të Pagës Minimale është fakti që në këtë mënyrë arrijnë të sigurojnë një nivel të qëndrueshëm të të ardhurave në skemën shtetërore të sigurimeve shoqërore (nga punësimi). Kjo i jep mundësi Qeverisë që të përllogarisë me thjeshtë dhe në mënyrë më efikase nivelin e shpenzimeve që nevojiten për pensionet e qytetarëve përfitues nga skema.

Në shkencat ekonomike ka shumë debate në lidhje me përdorimin e Pagës Minimale si instrument të politikave publike. Shumë akademikë mendojnë se është një instrument mjaft i mirë në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të punëmarrësve.

Ndërkohë që plot të tjerë e shikojnë si një instrument abuziv në formën e një kostoje shtesë mbi xhepat e sipërmarrjes private (biznesit). Sipas tyre, paga është çmimi i krahut të punës, dhe si e tillë duhet të jetë e përcaktuar nga kërkesë/oferta në treg, pa ndërhyrjen e Qeverisë.

U përgjigj Artan Gjergji.  Lexo biografinë e tij.

Keni një pyetje për ekspertët tanë?Dërgojeni duke klikuar këtu!

***

Refuzim për Përgjegjësi Ligjore (Disclaimer)

Kjo faqe interneti dhe blog me pyetje përgjigje është një rubrikë me karakter informativ, e cila në vetvete ka për qëllim informimin dhe edukimin pa pagesë të qytetarëve, në lidhje me cështje të ndryshme ekonomike e financiare. Portali Politiko dhe Ekspertët që u përgjigjen pyetjeve të qytetarëve, as vec e vec e as së bashku, nuk marrin asnjë përgjegjësi ligjore për cdo veprim që ndërmerret dhe/apo keqpërdoret nga kushdo bazuar në informacionin e shpërndarë në këtë blog/rubrikë për qëllime edukative dhe informative.

Të fundit