Flash News

BLOGU I EKONOMISË

Pse qeveria e Shqipnise na ban me pagu ne te Kosoves ne rrugen e Kombit 10 evro dhe pse Qeveria e Kosovës, nuk ban të njajtën gja?

Pse qeveria e Shqipnise na ban me pagu ne te Kosoves ne rrugen e Kombit 10 evro

Përgjigje:

I nderuar lexues. Autostradat dhe i gjithë rrjeti rrugor i një vendi janë investime publike që kërkojnë angazhimin e kapitaleve dhe fondeve mjaft të mëdha nga buxheti. Kjo i bën këto investime të jenë të mirëllogaritura dhe të mirë studiuara në lidhje me efektet që shkaktojnë në ekonominë e vendit apo rajonit specifik ku zbatohen.

Në këtë vendim përllogariten të gjithë kostot e kursyera në ekonomi si dhe përfitimet shtesë që sjell investimi publik për komunitetit. Disa prej këtyre investimeve publike kërkojnë shpenzime ekstra për mirëmbatjen e tyre dhe vazhdimin e operacionalitetit në vijimësi. Për rrjedhojë, vec investimit fillestar, kërkohen edhe shpenzime ekstra që të mundësojnë këtë proces.

Rrjeti rrugor është një ndër investimet dhe asetet me të mëdha të një vendi, por njëkohësisht edhe një aset që kërkon fonde të mëdha për vijimësinë e operacionalitetit. Rrugët sjellin gjithmonë zhvillim ekonomik, pasi reduktojnë kostot e transportit dhe sjellin më pranë tregjet, operatorët dhe konsumatorët me njëri-tjetrin duke ndikuar pozitivisht në ekonomi.

Shpesh herë kostot e mirëmbajtjes së investimeve publike (në këtë rast rrugëve), mund të jenë aq të mëdha sa buxhetet e brishta të një vendi nuk i përballojnë dot. Gjithashtu, mund të ndodhë që prioritetet e Qeverisë të ndryshojnë në drejtime të tjera, duke hequr një pjesë të shpenzimeve buxhetore nga një investim publik (në rastin tonë rrugët) në drejtim të një investimi apo sektori tjetër. Për këtë arsye, jo në pak raste, Qeveritë zgjedhin që mirëmbajtjen e investimeve publike (sidomos rrugëve) ta bëjnë me pagesë, e cila quhet “taksë përdorimi”, jo për kthimin e investimit sesa për përballimin e shpenzimeve të mirëmbajtjes.

Megjithatë, në përgjithësi pagesat sugjerohen që të aplikohen në rrugë që kanë alternativa pa pagesë për përdoruesit në mënyrë që të mos jenë detyruese. Pagesa për rrugët, aplikohen edhe në vendet e rajonit si Maqedoninë e Veriut, Serbi, Mal të Zi, Kroaci etj. Ndërkohë, vende të tjera aplikojnë një pagesë standarde njëhershe për të gjitha rrugët që përdoren nga të huajt (turistë) për një periudhë kohe të caktuar (njihet si Vigneta), si psh. Bullgaria, Austria etj. Ndërkohë që ka vende të tjera që nuk aplikojnë asnjë pagesë si Gjermania, Belgjika, Hollanda, Sllovenia apo Kosova.

Me fjalë të tjera, një vendim i tillë nuk ka karakter nacionalist diskriminues (edhe shqiptarët e Shqipërisë që kalojnë në atë rrugë paguajnë), por është politikë Qeveritare për mundësimin e vijimësisë së funksionalitetit, kryesisht për shkak të pa-mundësisë financiare buxhetore.

U përgjigj Artan Gjergji.   Lexo biografinë e tij.

Keni një pyetje për ekspertët tanë?Dërgojeni duke klikuar këtu!

***

Refuzim për Përgjegjësi Ligjore (Disclaimer)

Kjo faqe interneti dhe blog me pyetje përgjigje është një rubrikë me karakter informativ, e cila në vetvete ka për qëllim informimin dhe edukimin pa pagesë të qytetarëve, në lidhje me cështje të ndryshme ekonomike e financiare. Portali Politiko dhe Ekspertët që u përgjigjen pyetjeve të qytetarëve, as vec e vec e as së bashku, nuk marrin asnjë përgjegjësi ligjore për cdo veprim që ndërmerret dhe/apo keqpërdoret nga kushdo bazuar në informacionin e shpërndarë në këtë blog/rubrikë për qëllime edukative dhe informative.

Të fundit