Flash News

KRYESORE

"Bojkoti i kampionatit", Liga Profesioniste mblidhet nesër, Qeveria cakton Fidel Yllin negociator

"Bojkoti i kampionatit",  Liga Profesioniste mblidhet nesër,

Kryeministri Edi Rama dhe presidentët e klubeve të Kategorisë Superiore duket se kanë gjetur "gjuhën e përbashkët" për të diskutuar lidhur me katër kërkesat e këtyre të fundit drejtuar Qeverisë.

Për të negociuar me "Ligën Profesioniste", Qeveria ka autorizuar deputetin Fidel Ylli.

“Si i ngarkuar nga Qeveria, së cilës i janë drejtuar edhe kërkesat e Ligës Profesioniste, me porosi dhe i ngarkuar nga kryeministri Rama, ftoj përfaqësuesit e Ligës Profesioniste të Futbollit në një tryezë pune për të gjetur rrugët e zgjidhjes së kërkesave që ata kanë. Qeveria shqiptare dhe mazhoranca kanë patur vëmendjen e plotë te infrastruktura ligjore, duke miratuar një seri ligjesh dhe në këtë kuadër mirëpres Ligën Profesioniste të Futbollit për të negociuar dhe gjetur rrugët  e mundshme të zgjidhjes. Vullneti nuk ka munguar asnjëherë dhe predispozicioni është i përhershëm. Mirëpres në çdo moment komunikimin për ngritjen e shpejtë të programit të diskutimeve”, ka thënë Fidel Ylli për mediat.

Pas këtij lajmi, "Ligën Profesioniste" ka njoftuar zhvillimin e një mbledhje të shtunën në orën 11:00 në stadiumin “Air Albania”.

Në fokus të diskutimit do të jetë përcaktimi i pjestarëve të grupit negociator si dhe qëndrimi që do të mbahet gjatë negociatave.

Liga Profesioniste e Futbollit kërkon nga Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë:

1. Miratimin e një ligji të ri për sponsorizimet sipas formës së propozuar nga komuniteti i futbollit, pasi ndryshimet e propozuara nga qeveria nuk kanë asnjë efekt real mbi ekonominë e futbollit.

2. Përfshirjen e të gjitha aktiviteteve ekonomike të futbollit me TVSH-në e reduktuar në masën 6%, si bujqësia dhe turizmi dhe jo vetëm infrastrukturën sportive.

3. Zerimin e gjobave dhe kamatë-vonesave për detyrimet fiskale të prapambetura për të shmangur kolapsin financiar të klubeve.

4. Zgjatjen e efekteve të përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat për sportistët nga 2 në 10 vite.

 

Të fundit