Flash News

KRYESORE

‘Bonus qiraje për familjet që jetonin në konviktet e Qytetit Studenti’, Veliaj: Do ndërtojmë lagje të re në Shkozë

Familja Gjergo është nga familjet që prej disa vitesh jetonin në ambientet e konviktit 15 në Qytetin Studenti.

Por pas tërmetit, godina u shpall e pabanueshme.

Kjo familje u zhvendos në një apartament të ri me kushte komode pranë shkollës “1 maji”, në zonën e “Ali Demit” në Njësinë 2.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizitoi shtëpinë e familjes së Pëllumb Gjergos, ku theksoi se kushtet e jetesës janë shumë herë më të mira në krahasim me ato që ofronte një godinë që ishte ndërtuar për studentët dhe jo për ambient familjar.

 “Sot jemi më mirë se ç’ishim në konvikt. Vetëm ideja që ke një shtëpi që është e jotja, me qira të paguar, që nuk ke tualet të përbashkët, që nuk ke hy e dil me lloj-lloj njerëzish, por je pjesë e një komuniteti dinjitoz, unë them se tani jemi më mirë”, tha Veliaj.

Veliaj informoi familjen Gjergo se tashmë për të gjitha familjet që do të zhvendosen nga godinat e Qytet Studentit apo ato që i janë dëmtuar shtëpitë në zonën e Kinsostudios do të ndërtohet një lagje krejtësisht e re në zonën e Shkozës.

“Ne kemi konceptuar sesi këtu te “Autotraktorët” të bëjmë një lagje të re. E gjithë zona e atyre që dalin pa banesa në Kinostudio, në Qytetin Studenti, është edhe pika më e afërt. Ai është një vend ideal që kryeministri e ka me shumë merak që të gjejmë edhe një arkitekt ndërkombëtar dhe që njerëzit të mos thonë po shkojmë në një geto, por një gjë që është bërë me shije, me planimetri, me infrastrukturë. Atje kalon Unaza e madhe, pra aty është edhe rrethrrotullimi i Unazës. Nuk është e largët dita kur njerëzit do luten të shkojnë te këto lagjet e reja. Për të gjitha këto arsye, them që bëmë një vendim të mirë, dua të të falenderoj shumë për bashkëpunimin”, u shpreh Veliaj.

Të fundit