Flash News

Bota

50 vjet më parë...kur Shqipëria fuste Kinën në OKB

50 vjet më parë...kur Shqipëria fuste Kinën në OKB

nga Virgilius

Mbaj mend dikur mbi tryezat e punës së çdo punonjësi të administratës shtetërore, qoftë edhe të nëpunësit më të fundit të perandorisë komuniste, ndodhej një kalendar me fletë rrotulluese në të cilin rëndom shënohej data, viti dhe një ose më shumë ngjarje të rëndësishme që shkonin pas logjikës propagandistike të kohës: datëlindje, datëvdekje, themelime, revolucione e kështu me radhë. Sot e gjithë ditën nuk të ze syri për be asgjë të këtillë dhe, paskësaj bjerrjeje, kujtesa historike ngjan e lobotimizuar.

E pra, sikur me krahët e fantazisë të shkonim e të shfletonim kalendarin imagjinar do të lexonim se pesëdhjetë vjetë më parë, më sak më 25 tetor 1971, Shqipëria, përmes ministrit të Jashtëm të asaj kohe, Reiz Malile, do të paraqiste në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, të Njëzetegjashtën, rezolutën 2758 e cila njihte si të vetmin përfaqësues legjitim të popullit kinez në familjen e madhe të kombeve Republikën Popullore të Kinës së Mao Ce Dunit. Rezoluta u mbështet nga shumica dërrmuese e vendeve pjesëmarrëse të OKB-së, duke i hapur rrugë, kësisoj, hyrjes së RP të Kinës në organizatë dhe, automatikisht, në pesëshen e vendeve permanente të Këshillit të Sigurimit me të drejtë vetoje. Republika e Kinës (nacionaliste) e themeluar prej Çang Kaj Shesë në ishullin e Tajvanit, anëtare në OKB qysh nga viti 1945 do të dilte një herë e mirë nga organizata më e madhe dhe e vetmja në rrafsh global.

Sot pas pesëdhjetë vjetësh bota ka ndryshuar dhe tok me të edhe marrëdhëniet mes vendeve. Siç shprehej Churchill’i, Nuk kemi as miq të përjetshëm, as armiq të përjetshëm, vetëm interesa të përjetshme. Dhe kjo sentencë e burrit të madh të shtetit, por edhe shkrimtarit nobelist, tingëllon po aq bashkëkohore sa edhe atëherë kur u shqiptua. Shqipëria dhe Kina kanë marrëdhënie diplomatike, por nuk janë më vende mike si një herë e një kohë. Pas acarit të madh të vitit 1978, kur Kina e udhëhequr nga Ten Hsiao Pini hyri në rrugën e reformave të mëdha, si në politikën e brendshme ashtu edhe në atë ndërkombëtare, të dy vendet u shkëputën nga përqafimi vëllazëror dhe u larguan nga krahët e njëri – tjetrit. Sot kjo distancë vijon të ekzistojë dhe, kjo gjë nuk ka të bëjë vetëm me ndryshimin e sistemeve politike, por edhe me një problem të madh në mes, pavarësia e Kosovës, të cilën Pekini zyrtar jo vetëm që nuk e njeh dhe e pranon, por, krahas Rusisë dhe ndonjë vendi tjetër europian, e këqyr si shkeljen më të rëndë të së drejtës ndërkombëtare.

Duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm 2022, për herë të parë në historinë e vet, Shqipëria do të ulet për një periudhë dyvjeçare, në kolltukun e një prej dhjetë vendeve anëtare jo permanente, duke u bërë pjesë e pesëmbëdhjetëshes së Këshillit të Sigurimit. Ndoshta me këtë rast, rapsodi popullor do të thurë një këngë të re, e cila, doemos, do të ndryshojë prej asaj që dëgjonim dikur në valët e Radio Tiranës: “Dy luanë ka sot bota/ Një Azia dhe një Europa”. Ka të ngjarë që këtë herë të dy luanët do të përleshen fort në mejdanin e OKB-së, diplomatikisht. Dhe gjasat janë jo vetëm për Kosovën, por edhe për Tajvanin, vendin që dikur e nxorëm nga dera dhe sot po të mundeshim do ta fusnim nga dritarja.

Të fundit