Flash News

Bota

Amerikanët mendojnë se SHBA po shkon drejt kaosit pas atentatit ndaj Donald Trump

Amerikanët mendojnë se SHBA po shkon drejt kaosit pas atentatit ndaj

Amerikanët druajnë se vendi i tyre po rrëshqet në kaos, pas përpjekjes për të vrarë ish-presidentin Donald Trump, zbuloi një sondazh i kryer nga agjencia e lajmeve, Reuters, dhe kompania e kërkimeve, Ipsos. Trump, i cili do të garojë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit kundër presidentit aktual, Joe Biden, u plagos gjatë një tubimi në Pensilvani, më 13 korrik.

Sondazhi dyditor zbuloi se ai gëzon një epërsi të lehtë në mesin e votuesve të regjistruar, me 43 për qind mbështetje, kundrejt Bidenit me 41 për qind. Por, 80 për qind e votuesve - përfshirë demokratë dhe republikanë - thanë se pajtohen me deklaratën se “vendi po del jashtë kontrollit”.

Rreth 84 për qind e tyre shprehën shqetësim se ekstremistët do të kryejnë akte dhune edhe pas zgjedhjeve. Kjo shifër është në rritje nëse krahasohet me rezultatin e një sondazhi që Reuters dhe Ipsos kryen në muajin maj dhe që tregoi se 74 për qind e votuesve e kishin këtë shqetësim.

Frika nga dhuna politike në SHBA u rrit pasi disa mbështetës të Trumpit sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan më 6 janar të vitit 2021, në përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, në të cilat Trump u mposht nga Biden.

Katër persona humbën jetën në ditën e sulmit, ndërsa një oficer i policisë që luftoi kundër rebelëve, vdiq të nesërmen./REL

 

Të fundit