Flash News

Bota

Analiza e Auron Dodit nga DW: Pse zgjedhjet parlamentare në Gjermani janë të rëndësishme edhe për Europën

Analiza e Auron Dodit nga DW: Pse zgjedhjet parlamentare në Gjermani

Në Gjermani, në ekonominë më të madhe të Evropës zhvillohen këtë të diel zgjedhje parlamentare. Ato zhvillohen rreth 7 muaj para kohe, pasi qeveria tripartiake e kancelarit Olaf Scholz u shpërbë në 6 nëntor.

Jam lidhur tani në Gjermani me Auron Dodin, në Deutsche Welle.

Fillimisht, sa të rëndësishme janë këto zgjedhje të parakohshme parlamentare për Gjermaninë?

Përshëndetje. Kandidati me shanse më të mëdha për kancelar të Gjermanisë, Friedrich Merz i CDU-së, i ka quajtur këto „zgjedhje për fatin” – përballë “zhvendosjes tektonike të qendrave politike dhe ekonomike të pushtetit në botë.” I ka quajtur edhe “një nga mundësitë e fundit për t’i zgjidhur problemet përpara se populistët (të fitojnë) shumicën”.

Në këtë kuadër, edhe vëzhgues të huaj i shohin këto zgjedhje gjermane si zgjedhjet më të rëndësishme të Evropës. Zgjedhjet zhvillohen në një atmosferë kur çështja e migrimit u katapultua, kryesisht nga atentatet, në kryesore.

Ajo ka çuar dhe në forcimin e AfD-së, një parti me tendencë kundër të huajve. Partitë e qendrës nuk e mbulojnë më, si përpara, të gjithë spektrin politik.

Megjithatë, polarizimi në Gjermani nuk ka arritur përmasat e shteteve të tjera evropiane, dhe është larg situatës së SHBA.

Konsensusi vazhdon të jetë i preferuari nga forcat politike në Gjermani.

Ç’thonë sondazhet e fundit për zgjedhjet në Gjermani?

Tendenca e përgjithshme e sondazheve të fundit, sheh sot të parën CDU/CSU, parti e qendrës së djathtë, që arrin te 30.1%. E dyta vjen Alternativa për Gjermaninë, AfD, parti pjesërisht ultra e djathtë, te 20.2 përqind. E treta renditet SPD, partia socialdemokrate, e qendrës së majtë, te 15.3%; Të Gjelbrit, parti me fokus ambjentin e klimën, janë te 13.2. %; partia E Majta, parti pjesërisht ultra e majtë, arrin 6.8%.

Kurse partitë e tjera, FDP liberale dhe Aleanca Sara Wagenknecht, parti „transversale“, sipas tendencës së sondazheve, nuk pritet të kalojnë 5%- prag për t’u futur në Bundestag.

Parashikimet në sondazhe, për partitë kryesore, thuajse nuk kanë ndryshuar, muajin e fundit. Megjithatë, më shumë se një e treta e votuesve, janë ende të pavendosur, për kë do të votojnë.

Qeverinë mund ta formojë partia ose koalicionet partiake, që arrijnë gjysmën e mandateve në Bundestag, pra që arrijnë të paktën 316 mandate.

Nëse CDU/CSU do të drejtojë qeverinë e ardhshme të Gjermanisë: cilin ka partner të preferuar?

I pyetur për këtë, kryetari i CDU-së, Friedrich Merz, u përgjigj së fundi: “ndoshta me socialdemokratët, ndoshta me Të Gjelbrit. Për FDP-në kam dyshime të mëdha”.

Sipas sondazheve, gjasat më të mëdha i ka një koalicion mes CDU/CSU dhe socialdemokratëve, SPD. Një koalicion i tillë e ka drejtuar Gjermaninë katër herë , që pas Luftës së Dytë Botërore.

Por mund të nevojiten edhe tre parti, për të formuar qeverinë. Pra është e mundur që të kërkohen edhe Të Gjelbrit në bord. Kjo mund ta vështirësonte formimin e qeverisë.

Merzi dëshiron ta shohë të formuar shpejt qeverinë – më e vonta deri në 20 prill.

Si zgjidhet në Gjermani këtë herë?

Pas reformës zgjedhore, të miratuar nga koalicioni tripartiak, Bundestagu i ri do të jetë më i vogël. Ai do të ketë maksimumi 630 deputetë, pra mbi 100 deputetë më pak se aktualisht. Mandate shtesë nuk do të ketë më.

Në fletën e votimit mund të vendoset për dy preferenca- siç e kërkon sistemi proporcional i personalizuar i Gjermanisë. Me preferencën e parë zgjidhet kandidati direkt i zonës elektorale. Me preferencën e dytë zgjidhet një parti, nga lista e landit federal.

Të drejtë votimi kanë të paktën 59,1 milionë gjermanë, që janë të paktën 18 vjeç.

Për herë të parë mund të votojnë 2,3 milionë zgjedhës – sepse kanë mbushur moshën për votim.

Çfarë do të thotë për Evropën një qeveri e drejtuar nga Friedrich Merz?

Gjermania ofron një të katërtën e prodhimit të të gjithë Bashkimit Evropian. Friedrich Merz mbështet tregjet e hapura, mbështet tregtinë e lirë dhe Aleancën Transatlantike.

Ai ka deklaruar se do ta risjellë Gjermaninë në qendër të Evropës. Për të drejtuar Evropën, ai do të riforcojë kontaktin me Francën, duke e zgjeruar drejtimin edhe me Poloninë.

Merzi mbështet, në parim, idenë e “rrathëve koncentrikë” për organizimin e Evropës: disa vende ecin drejt integrimit më të thellë; të tjera integrohen më pak, duke dorëzuar edhe më pak sovranitet në Bruksel.

Por më parë ai do të forcojë Gjermaninë. Ai ka deklaruar se “ne e dimë, të paktën që nga Bismarcku, se kjo Evropë funksionon vetëm nëse Gjermania luan një rol të fortë”. “…pa ne, kundër nesh, asgjë nuk do të ecë përpara në Evropë”.

Merz ka thënë se kontrolli më i mirë i migrimit dhe kthesa ekonomike janë prioritare për të. Por përsa i përket sigurisë dhe mbrojtjes?

Çështja e sigurisë ka qenë e para, në fjalimet elektorale të Merzit. Së fundi ai deklaroi se “vendimtare është që të jemi në gjendje të mbrohemi”.

Ka thënë edhe se 2% e PBB për mbrojtjen është minimumi, që duhet të shpenzojë Gjermania. Për këtë ai nuk e përjashton reformimin e frenës së borxhit, në kushtetutën gjermane.

Pra buxheti shtesë për mbrojtjen mund të jetë nga hapat e parë të qeverisë së re. Sidomos pas tronditjes në marrëdhëniet me SHBA, te e cila Gjermania është mbështetur për sigurinë e saj që pas Luftës së Dytë Botërore.

Disa institutucione, si Instituti Ekonomik Ifo i Mynihut, presin madje një ndryshim të strukturës së industrisë gjermane në drejtim të sektorit të mbrojtjes. Disa analistë e shohin industrinë gjermane të armatimit në një bum zhvillimi.

Çfarë roli do të ketë në të ardhmen AfD-ja në politikën e Gjermanisë – meqenëse pritet të dalë e dyta në zgjedhje?

Në nivel federal nuk pritet që AfD të luajë ndonjë rol. Pasi të gjitha partitë e kanë përjashtuar bashkëpunimin me të. Por prania më e madhe dhe retorika e AfD mund të ndikojë në normalizimin e radikalizimit të disa njerëzve.

Megjithë skepticizmin e kritikëve, edhe Merzi e ka ritheksuar distancimin nga AfD. Kjo megjithë hapin e guximshëm të tij, votën e përbashkët me AfD-në për migrimin në Bundestag. Merzi thotë se një bashkëpunim me AfD-në do të thotë fund i CDU-së.

Mbështetja nga Uashingtoni për AfD-në, kërkesa për ta rrëzuar “kordonin sanitar” ndaj AfD-së, ka forcuar distancimin nga AfD në CDU.

Synimi i Merzit është që AfD të bjerë nën 5% e të mos futet, më vonë, në Bundestag. Për këtë ai synon të zgjidhë problemin e migrimit, p.sh. me dëbime e sprapsje të emigrantëve të paligjshëm që në kufi. Dhe të nxisë ekonominë, p.sh. duke ulur taksat e burokracinë.

Kjo mund të shpresohet pasi ka shumë të zhgënjyer nga politika tradicionale, që ia japin votën AfD-së. Gjithashtu asaj ia japin votën mjaft të rinj dhe gjermanolindorët.

Kur priten rezultatet paraprake të zgjedhjeve? Që të dielën?

Të dielën, në orën 17.45 pritet të transmetohet një rezultat i parë paraprak për votimin. Tendencën, partitë, e marrin megjithatë që prej orës 12.

Por nëse do të kemi surpriza nga votuesit, kjo del e qartë më vonë./DW

Të fundit