Flash News

Bota

Analiza e VOA: Pse Hungaria po forcon lidhjet me Rusinë dhe Kinën?

Analiza e VOA: Pse Hungaria po forcon lidhjet me Rusinë dhe Kinën?

Ndërsa shumë vende perëndimore kanë ndërprerë lidhjet ekonomike me Rusinë pas agresionit të saj ndaj Ukrainës, Hungaria vazhdon të blejë naftë dhe gaz rus, në vlerë prej miliarda dollarësh. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, njofton nga Budapesti se Hungaria gjithashtu po përpiqet të forcojë lidhjet me Pekinin, çka bie ndesh me përpjekjet e Perëndimit për uljen e varësisë nga Kina. Analistët thonë se udhëheqësi i Hungarisë po përpiqet të shfrytëzojë tensionet globale.

Tubacioni Druzhba ose 'Miqësia' transporton naftën ruse në rafineritë hungareze në periferi të Budapestit. Bashkimi Evropian e ndaloi importin e naftës ruse pasi Moska sulmoi Kievin.

Por Hungaria kërkoi të bëheshin përjashtime për të, me pretendimin se nuk mund të gjente burime të tjera energjetike dhe tani është klienti më i madh i naftës ruse në Evropë, duke blerë naftë me vlerë prej 343 milionë dollarësh vetëm në janar. Gjithashtu, Rusia po ndërton një central bërthamor në Hungari.

Kievi thotë se Rusia i shpenzon të ardhurat nga energjia për të prodhuar armë për të vrarë ukrainasit. Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i hedh poshtë thirrjet për ndërprerjen e lidhjeve ekonomike me Moskën.

“Strategjia e Brukselit për Ukrainën ka dështuar në mënyrë spektakolare. Jo vetëm në fushën e betejës, ku situata është katastrofike, por edhe në politikën ndërkombëtare”.

Zoti Orban i ka kritikuar sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, ka bllokuar ndihmën evropiane për Ukrainën dhe ka vonuar ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO. Ai e ka larguar Hungarinë nga Evropa, thotë për Zërin e Amerikës analist Peter Kreko.

“Askush nuk ka shkuar deri në pikën e shkatërrimit të institucioneve demokratike, duke u kthyer kundër Perëndimit dhe kultivuar marrëdhënie me Rusinë dhe Kinën”.

​ Kina po financon 3.8 miliardë dollarë për ndërtimin e një hekurudhe të shpejtësisë së lartë nga Budapesti për në Beograd, projekt i rëndësishëm i nismën së Pekinit “Një Brez një Rrugë”. Në vitin 2022 Hungaria ishte ndër përfituesit më të mëdhenj në botë të investimeve kineze.

“Ka rregullore të hartuara në mënyrë arbitrare dhe të miratuara me shpejtësi nga parlamenti, për të parandaluar çdo mbikëqyrje të investimeve ruse në centralin bërthamor ose investimeve kineze në hekurudhën që lidh Beogradin me Budapestin”, thotë për Zërin e Amerikës Miklos Ligeri, nga organizata Transparency International në Hungari.

Qeveria hungareze i hedh poshtë pretendimet për korrupsion me argumentin se detajet e investimeve janë mbajtur sekret për të siguruar hua kineze. Analisti Kreko thotë se marrëdhëniet e afërta të Hungarisë me Moskën dhe Pekinin bazohen tek situata gjeopolitike.

“Ndërsa shfaqet një konflikt i ri i llojit të Luftës së Ftohtë midis Kinës dhe Perëndimit, zoti Orban dëshiron të luajë rol lidhës mes tyre. Po ashtu, po përhapet nocioni se rendi liberal demokratik perëndimor po shkon drejt shembjes dhe kërkohen modele të reja, si ato në Rusi apo Kinë”.

Është një kthesë e fortë për Hungarinë e cila rrëzoi komunizmin dhe u bë anëtare e Bashkimit Evropian.

Një monument shënon kryengritjen e vitit 1956 kundër sundimit sovjetik, i cili u shtyp brutalisht nga Moska. Hungaria e rrëzoi perden e hekurt të komunizmit në vitin 1989, por tani ka shqetësime për demokracinë në vend dhe fuqinë e ndikimit të Rusisë. VOA

Të fundit