Flash News

Bota

Asambleja e OKB miraton rezolutën që dënon sulmin rus në Ukrainë, Rama: Vota kundër e Serbisë unifikon Ballkanin

Asambleja e OKB miraton rezolutën që dënon sulmin rus në

Kombet e Bashkuara kanë votuar me shumicë dërrmuese për një rezolutë që dënon pushtimin e Rusisë në Ukrainë dhe kërkon tërheqjen e menjëhershme të forcave të saj.

Në një seancë urgjente të asamblesë së përgjithshme të OKB-së, 141 nga 193 shtetet anëtare votuan pro rezolutës, 35 abstenuan dhe pesë votuan kundër ( Rusia, Koreja e Veriut, Eritrea, Siria, Bjellorusia).

Rezoluta, e cila u bashkësponsorizua nga 94 vende, tha se OKB-ja "dënon me termat më të fortë agresionin e Federatës Ruse kundër Ukrainës".

Përmes saj kërkohet që "Federata Ruse të ndërpresë menjëherë përdorimin e forcës kundër Ukrainës" dhe "të tërheqë menjëherë, plotësisht dhe pa kushte të gjitha forcat e saj ushtarake".

Rezoluta nuk është ligjërisht e detyrueshme, por është një shprehje e pikëpamjeve të anëtarësimit në OKB, që synon rritjen e presionit ndaj Moskës dhe aleatit të saj, Bjellorusisë, shkruan the guardian.

Të premten, Rusia ishte vota e vetme kundër një rezolute të ngjashme në këshillin e sigurisë, por për shkak se Rusia është një nga pesë fuqitë me veto, rezoluta nuk u mbështet, kështu që aleatët e Ukrainës ia referuan çështjen asamblesë së përgjithshme.

Është hera e parë në 40 vjet, që Këshilli i Sigurimit i referohet një krize asamblesë dhe hera e 11-të që është thirrur një seancë urgjente e asamblesë së përgjithshme të OKB-së që nga viti 1950.

Rama:Vota e Serbisë kundër Rusisë unifikon Ballkanin Perëndimor

Për miratimin e kësaj rezolute ka votuar pro edhe Serbia. Ky fakt është komentuar edhe nga kryeministri Edi Rama sipas të cilit vota e Serbisë kundër Rusisë, unifikon Ballkanin Perëndimor me Perëndimin.  

“141 vende ndëshkojnë Rusinë me votimin e tyre në OKB kundër agresionit ndaj Ukrainës! Rusia hyn në periudhën e vetmisë më të madhe të historisë së saj me veç 4 vende ultradiktatoriale që i qëndrojnë në krah! Vota e Serbisë kundër Rusisë unifikon Ballkanin Perëndimor me Perëndimin”, shkruan Rama.

Edhe ministrja e Jashtme Olta Xhaçka shkruan se diktatori i Rusisë duhet ta dëgjojë njerëzimin. 

141 vota për paqen në Ukrainë! Vetëm 5 vota kundër: Rusia, Koreja e Veriut, Eritrea, Siria, Bjellorusia. Bota ka folur kundër agresionit rus! Diktatori i Rusisë duhet të dëgjojë njerëzimin”, shkruan Xhaçka.

 

 

Të fundit