Flash News

Bota

BE-ja paralajmëron rritje të sëmundjeve nga mushkonjat, shkak rritja e temperaturave

BE-ja paralajmëron rritje të sëmundjeve nga mushkonjat, shkak

Autoritetet shëndetësore në Evropë kanë paralajmëruar se gjatë kësaj vere u shënuan rekord sëmundjesh të përhapura nga mushkonjat, si virusi i Nilit Perëndimor dhe chikungunya.

Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), sezoni i mushkonjave në kontinent po bëhet gjithnjë e më i gjatë dhe më intensiv për shkak të rritjes së temperaturave. Këto kushte krijojnë mjedisin ideal për shumimin e mushkonjave dhe përhapjen e viruseve, raporton Euronews Health.

Shkencëtarët paralajmërojnë se, për shkak të ndryshimeve klimatike, këto sëmundje mund të bëhen endemike në Evropë.  

Vetëm në vitin 2025 janë regjistruar 27 shpërthime të chikungunyas, një rekord i ri për kontinentin. Po ashtu, janë raportuar 335 raste të virusit të Nilit Perëndimor, numri më i lartë në tre vjetët e fundit. Infeksionet pritet të vazhdojnë të rriten gjatë muajve korrik–shtator.

Virusi i Nilit Perëndimor shpesh nuk shkakton simptoma, por në raste të rënda mund të çojë në encefalit (inflamacion i trurit) ose meningjit (inflamacion i cipave mbrojtëse të trurit dhe palcës kurrizore).

Chikungunya mund të shkaktojë ethe, të përziera, dhimbje koke, lodhje, skuqje të lëkurës, dhimbje muskujsh dhe ënjtje të kyçeve. Këto dhimbje shpesh janë të forta dhe afatgjata.

 

Të fundit