Flash News

Bota

Biden u diagnostikua me kancer, pikëpyetje rreth shëndetit të tij në Shtëpinë e Bardhë

Biden u diagnostikua me kancer, pikëpyetje rreth shëndetit të tij

Njoftimi i Joe Biden se është diagnostikuar me kancer të prostatës ka ringjallur pikëpyetje rreth problemeve shëndetësore me të cilat përballej ish-presidenti amerikan ndërsa ishte në Shtëpinë e Bardhë, shkruan CNN

Në një deklaratë të dielën, zyra e Biden tha se 82-vjeçari ishte diagnostikuar pasi ishte vizituar te një mjek për simptoma urinare.

Disa mjekë kanë shprehur habi që forma agresive e kancerit, e cila është përhapur në kockat e tij, nuk ishte zbuluar më parë.

Të tjerë theksuan se kanceret mund të rriten shpejt pa shfaqur simptoma nga pacienti - dhe se burrat mbi 70 vjeç nuk kontrollohen rregullisht.

Presidenti Donald Trump u tha gazetarëve të hënën se paraardhësi i tij duhet të kishte qenë më transparent me publikun, duke sugjeruar - pa ofruar prova - se diagnoza e kancerit ishte fshehur.

"Mendoj se është shumë e trishtueshme në fakt. Jam i befasuar që publiku nuk u njoftua shumë kohë më parë", tha Trump në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë.

"Mund të duhen vite për të arritur në këtë nivel rreziku. Pra, shikoni, është një situatë shumë, shumë e trishtueshme. Ndihem shumë keq për këtë dhe mendoj se njerëzit duhet të përpiqen të zbulojnë se çfarë ka ndodhur."

Biden ende nuk i është përgjigjur komenteve të Trump, të cilat erdhën mes raportimeve se ndihmësit e demokratëve u përpoqën të fshehin nga publiku gjendje të tjera shëndetësore që përkeqësoheshin përpara zgjedhjeve të vitit 2024.

Të fundit