Flash News

Bota

Blinken telefonatë me Lavrov, e para që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Çfarë biseduan

Blinken telefonatë me Lavrov, e para që nga fillimi i luftës

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të premten se ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe i ka bërë presion Kremlinit të pranojë 'propozimin që Uashingtoni ka paraqitur për të siguruar lirimin e dy amerikanëve të arrestuar në Rusi, shkruan Reuters.

Në bisedën e tyre të parë të tillë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, të dy palët u përpoqën të qëndronin në pozicionet e tyre ekzistuese.

"Ne patëm një bisedë të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë," tha Blinken në një konferencë shtypi në Departamentin e Shtetit. "Unë i bëra presion Kremlinit të pranojë propozimin që ne bëmë për lirimin e Paul Whelan dhe Brittney Griner," tha ai.

Lavrov i sugjeroi Blinken që të dy palët të kthehen në diplomaci të qetë për çështjen e shkëmbimit të të burgosurve.

“Lidhur me shkëmbimin e mundshëm të shtetasve rusë dhe amerikanë të burgosur, pala ruse sugjeroi përdorim të ‘diplomacisë së qetë’”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse.

Shtetet e Bashkuara njoftuan këtë javë se i bënë një ofertë Rusisë, javë më parë, për të siguruar lirimin e yllit të WNBA, Brittney Griner dhe ish-marinistit amerikan Paul Whelan, por nuk zbuluan se çfarë po ofronte.

Një burim i njohur me situatën tha se Uashingtoni ishte i gatshëm të shkëmbente trafikantin rus të armëve Viktor Bout, i cili po vuan një dënim me 25 vjet burg në Shtetet e Bashkuara, si pjesë e një marrëveshjeje.

Lavrov tha në një konferencë shtypi se bisedimet mbi shkëmbimin e të burgosurve ishin zhvilluar që nga një samit në Gjenevë vitin e kaluar, ku presidenti Vladimir Putin dhe Biden kishin rënë dakord të emëronin zyrtarë për të shqyrtuar këtë çështje.

Të fundit