Flash News

Bota

“Bota ka nevojë për Kinën”, Xi Jinping fiton mandatin e tretë radhazi

“Bota ka nevojë për Kinën”, Xi Jinping fiton mandatin

Xi Jinping ka fituar mandatin e tij të tretë qeverisës në Kinë. Ai u rizgjodh si sekretar i partisë në një mandat të tretë radhazi, raporton BBC.

Teksa foli për mediat, Xi Jinping tha se partia përfundoi me sukses kongresin e saj, duke mbledhur forcën dhe duke ecur përpara në unitet. Ai vuri në dukje se bashkësia ndërkombëtare e ka ndjekur kongresin me shumë interes dhe krerët e shteteve kanë dërguar mesazhe dhe letra urimi.

Më pas ai prezantoi formacionin e tij të ri në komitetin e përhershëm të Byrosë Politike.

Xi falënderoi partinë për besimin që i ka dhënë dhe tha se vendi e ka arritur qëllimin e tij për të krijuar një shoqëri mesatarisht të prosperuar.

“Tani ne po ndërmarrim hapa të sigurt në një rrugëtim të ri për ta kthyer Kinën në një vend socialist modern në të gjitha aspektet. Për të përparuar drejt qëllimit të dytë të njëqindvjetorit dhe për të përqafuar përtëritjen e madhe të kombit kinez në të gjitha frontet, për një rrugë kineze drejt modernizimit”, u shpreh Xi.

Xi Jinping tha se vendi do të vazhdojë të ndërtojë një shoqëri moderne socialiste, madhështore dhe pafundësisht të lavdishme.

“Kina nuk mund të zhvillohet pa botën, dhe bota gjithashtu ka nevojë për Kinën. Pas më shumë se 40 vitesh përpjekjesh të pandërprera drejt reformës dhe hapjes, ne kemi krijuar dy mrekulli - zhvillim të shpejtë ekonomik dhe stabilitet social afatgjatë”, shtoi Xi Jinping.

Të fundit