Flash News

Bota

Deputetja që po vështirëson anëtarësimin e Suedisë në NATO

Deputetja që po vështirëson anëtarësimin e Suedisë

Duket se koha po mbaron për të hequr veton turke mbi aplikimet e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO, përpara mbajtjes së samitit të radhës të organizatës ushtarake në Madrid, më 29-30 qershor.

Atmosfera duket e errët në korridoret e Brukselit, po ashtu edhe në Stokholm dhe Helsinki, pasi shpresat po veniten se mund të arrihet diçka në ditët që kanë mbetur para samitit që do t zhvillohet në kryeqytetin spanjoll.

Ai që mund të kishte qenë procesi më i shpejtë i i anëtarësimit në historinë e aleancës - me dy shtetet nordike, të cilat mund të bëheshin anëtaret numër 31 dhe 32 deri në fund të verës - duket e vështirë të arrihet. Në vend të kësaj, përflitet realisht se ky ngërç mund të zgjasë gjatë gjithë vitit.

Në fund, e gjithë vëmendja mbetet te lideri enigmatik i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, deklaratat e ashpra të të cilit kundër Finlandës, dhe veçanërisht kundër Suedisë, po merren më seriozisht se sa fillimisht. Të tjerë hedhin vështrimet përtej Atlantikut, me shpresën se presidenti i SHBA-së, Joe Biden, mund ta zgjidhë këtë ngërç.

Dhe, nëse kjo nuk ndodh, ka ende shpresë që kryeministret e Suedisë dhe Finlandës, përkatësisht Magdalena Andersson dhe Sanna Marin, mund të krijojnë një hapësirë për manovrim.

Por, ekziston edhe një person tjetër që mund të jetë në gjendje të zhbllokojë të gjithë situatën edhe pse ajo mund të rezultojë të jetë protagonistja më e vështirë për t’u bindur nga të gjithë. Njihuni me Amineh Kakabavehun - një kurde me origjinë iraniane dhe një ish-luftëtare Peshmerga, e cila aktualisht është një deputete e pavarur dhe një person me shumë influencë në Parlamentin suedez.

Kakabaveh është pa dyshim një nga politikanet më intriguese, më kundërthënëse dhe më të njohura në Suedi. Mjafton të shkosh jo më larg se titulli i autobiografisë së saj të vitit 2016 – “Amineh – Jo më e madhe se një kallashnikov” (Amineh – inte större än en kalasjnikov) për të kuptuar pse.

E lindur në provincën veriperëndimore të Kurdistanit, në Iran në vitin 1970, ajo iu bashkua guerilëve kurdë në moshën 13-vjeçare, por emigroi në Suedi gjashtë vjet më vonë. Duke punuar kryesisht si punëtore sanitare ndërkohë që ndiqte klasa mësimi në mbrëmje, ajo më në fund mori titullin master në shkencat sociale në Universitetin e Stokholmit. Në vitin 2008, ajo hyri në Parlament për partinë e majtë (Vänsterpartiet) dhe që atëherë është rizgjedhur në çdo mandat qeverisës. Ajo u shpall madje edhe “Suedezja e vitit” nga një prej botimeve më me ndikim të politikës.

Pavarësisht se është një marksiste e vetëshpallur, ajo u përjashtua nga partia e saj tre vjet më parë pas grindjeve të ashpra mbi atë që ajo e perceptonte si injorancën e së majtës politike mbi rolin e strukturave klanore patriarkale në periferitë e populluara nga emigrantët - diçka për të cilën shumë nga kolegët e saj partiakë e konsideronin si "islamofobike".

Dhe, pikërisht si një politikane e pavarur ajo ka bërë vërtet emër kohët e fundit. Falë mbështetjes së saj, Qeveria e pakicës socialdemokrate, e udhëhequr nga Andersson, mundi të shihte dritën vitin e kaluar.

Dhe për të siguruar votën e saj, asaj iu premtuan plot gjëra, kryesisht të lidhura me mbështetjen e Stokholmit për çështje të ndryshme kurde:

Rritja e bashkëpunimit me PYD-në, një parti e krahut të majtë kurd në Siri që Ankaraja e kundërshton? Po!/ REL

Të fundit