Flash News

Bota

Sulmet e Rusisë me raketa, një ‘mesazh’ që Perëndimi të tërhiqet

Sulmet e Rusisë me raketa, një ‘mesazh’ që

Teksa u shënuan plot 4 muaj prej fillimit të luftës ruse në Ukrainë, Moska duket se tashmë i ka të qarta mesazhet për Perëndimin. Sulmet dhe bombardimet e vazhdueshme me raketa janë një sinjal që Perëndimi duhet të tërhiqet nga përpjekjet për t’i dhënë fund luftës, raporton Associated Press.

Pjesa më e madhe e luftës është zhvendosur në lindje të Ukrainës ku brutaliteti i sulmeve me raketa ruse në një qendër tregtare në qytetin qendror të Kremenchuk dhe në ndërtesat e banimit në kryeqytet, Kiev, u shpalos si një ‘mesazh’ veçanërisht për Perëndimin.

A ishin sulmet një mesazh nga presidenti rus Vladimir Putin ndërsa Perëndimi kërkonte të armatoste Ukrainën me armë më efektive për të forcuar rezistencën e saj dhe për ta vendosur Ukrainën në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian?

Kryetari i bashkisë së Kievit Vitali Klitschko sugjeroi të njëjtën gjë kur raketat goditën kryeqytetin më 26 qershor, tre ditë pasi liderët e BE-së ranë dakord unanimisht për ta bërë Ukrainën një kandidate për anëtarësim.

“Ishte ndoshta një sulm simbolik pasi grupi i shtatë fuqive kryesore ekonomike dhe më pas liderët e NATO-s u përgatitën të takoheshin dhe të ushtronin presion të mëtejshëm mbi Moskën”, tha Klitschko. Të paktën gjashtë persona u vranë në sulmin në Kiev, i cili goditi një ndërtesë apartamentesh.

Një ditë pas sulmit në Kiev, ndërsa udhëheqësit e G-7 u takuan në Gjermani për të diskutuar mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën gjatë samitit të tyre vjetor, Rusia gjuajti raketa në një qendër tregtare të mbushur me njerëz në qytetin qendror të Ukrainës Kremenchuk, duke vrarë të paktën 19 persona.

Koha e të dy sulmeve duket se ishte e krahasuar me takimet evropiane të Presidentit të SHBA Joe Biden, kryeministrit britanik Boris Johnson, kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron, të gjithë mbështetës të Ukrainës.

Duke kundërshtuar provat, Putin dhe zyrtarët e tij mohojnë se Rusia ka goditur zonat e banuara. Putin ka mohuar që forcat ruse kanë shënjestruar qendrën tregtare Kremenchuk, duke thënë se ajo ishte drejtuar në një depo armësh aty pranë.

Të fundit