Flash News

Bota

Evropa përgatitet ushtarakisht mes frikës nga Rusia dhe mungesës së personelit

Evropa përgatitet ushtarakisht mes frikës nga Rusia dhe mungesës

Ndërsa SHBA-të vazhdojnë bisedimet për një marrëveshje të mundshme paqeje që do t’i jepte fund luftës në Ukrainë, liderët evropianë kanë paralajmëruar për kërcënimin që Rusia paraqet për Evropën, në një kohë kur disa vende të kontinentit po përballen me mungesa serioze në personelin e forcave të armatosura.

Nga ana e saj, Rusia mohon çdo plan për sulm ndaj vendeve evropiane. Në këtë kontekst, secili shtet po zhvillon strategjitë e veta për të forcuar Forcat e Armatosura, shkruan Reuters, duke dhënë edhe disa shembuj:

GJERMANIA

Qeveria gjermane ra dakord në nëntor për një program të ri të shërbimit ushtarak, me paga më të larta dhe stimuj më të mirë. Shërbimi ushtarak do të mbetet vullnetar, por parashikohet mundësia e mobilizimit të detyrueshëm nëse programi nuk arrin të tërheqë mjaftueshëm rekrutë.

Gjermania synon të rrisë numrin e ushtarëve nga rreth 180.000 aktualisht në 260.000 dhe të dyfishojë rezervistët në 200.000.

Sipas propozimeve, që pritet të hyjnë në fuqi në fillim të vitit 2026, do të vendoset regjistrimi i detyrueshëm dhe kontrolli mjekësor. Çdo mobilizim i detyrueshëm do të kërkojë votim të veçantë në parlament. Për përfshirjen e grave do të nevojitet ndryshim kushtetues.

FRANCË

Franca do të krijojë një shërbim të ri vullnetar ushtarak për të rinjtë, që pritet të nisë në mesin e vitit 2026, njoftoi presidenti Emmanuel Macron në nëntor. Programi do të zgjasë 10 muaj, do të jetë i hapur për moshat 18–19 vjeç dhe do të jetë i paguar.

Synimi është që në vitin 2026 të marrin pjesë 3.000 persona, numër që do të rritet në 10.000 deri në vitin 2030. Macron deklaroi se objektivi është të rekrutohen 50.000 të rinj deri në vitin 2035.

Në përgjithësi, Franca synon të ketë 100.000 rezervistë deri në vitin 2030, nga rreth 47.000 që janë sot, ndërsa forcat e armatosura do të arrijnë në rreth 210.000 efektivë.

BRITANIA

Ministri britanik i Mbrojtjes deklaroi se qeveria synon ta rrisë ushtrinë në të paktën 76.000 ushtarë aktivë gjatë mandatit të ardhshëm parlamentar, që pritet të nisë në vitin 2029, kur pritet të ketë më shumë financim.

Aktualisht, ushtria britanike ka rreth 74.000 ushtarë aktivë dhe rreth 25.000 rezervistë, ndërsa forcat e armatosura në total numërojnë rreth 181.000 persona.

Britania është e përqendruar në ruajtjen e personelit dhe modernizimin e shërbimeve, pa plane për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

DANIMARKA

Danimarka planifikon të rrisë gradualisht kohëzgjatjen e shërbimit ushtarak nga katër në 11 muaj në vitin 2026 dhe të rrisë numrin e rekrutëve nga rreth 5.000 në 7.500 deri në vitin 2033.

FINLANDA

Finlanda mban një forcë ushtarake prej 280.000 trupash në kohë lufte përmes shërbimit të detyrueshëm për burrat, duke shtuar çdo vit rreth 20.000 rezervistë të rinj. Megjithatë, rënia e lindshmërisë rrezikon të ulë numrin e rezervistëve në të ardhmen.

Shefi i mbrojtjes së Finlandës, gjenerali Janne Jaakkola, deklaroi për transmetuesin publik YLE se vendi duhet të shqyrtojë zgjerimin e shërbimit të detyrueshëm edhe për gratë, të cilat aktualisht shërbejnë vullnetarisht.

Burrat janë subjekt i shërbimit ushtarak deri në moshën 60 vjeç, por qeveria synon ta rrisë kufirin në 65 vjeç. Kjo do të çonte numrin e rezervistëve nga 870.000 në rreth 1 milion deri në vitin 2031.

ITALIA

Italia ka nevojë urgjente për një njësi të re civile-ushtarake me 5.000 persona për t’u përballur me kërcënimet e luftës hibride, deklaroi ministri i Mbrojtjes Guido Crosetto në një raport strategjik të publikuar në nëntor.

Njësia e re, që duhet të jetë në gatishmëri të vazhdueshme, fillimisht do të ketë 1.200–1.500 persona, me synim rritjen graduale në 5.000.

Ministria italiane e Mbrojtjes synon të rekrutojë 6.000 vullnetarë me kontrata afatshkurtra për vitin 2026, nga 6.500 të parashikuar për vitin 2025.

HOLANDA

Holanda synon të rrisë personelin e ushtrisë nga 74.000 në 200.000 persona, me theks të veçantë në zgjerimin e forcave rezervë, sipas transmetuesit publik NOS.

POLONIA

Polonia, që ka një nga ushtritë më të mëdha të NATO-s, do të nisë një program trajnimi ushtarak në kuadër të një plani më të gjerë për të trajnuar rreth 400.000 persona në vitin 2026.

Programi do të jetë vullnetar dhe i hapur për të gjithë qytetarët, duke përfshirë trajnime bazë sigurie, mbijetese dhe ndihme të parë mjekësore.

RUMANIA

Rumania ka intensifikuar rekrutimin e vullnetarëve që nga pushtimi rus i Ukrainës, duke ofruar paga më të larta dhe trajnim ushtarak.

Megjithëse numrat e përgjithshëm mbeten të qëndrueshëm, Ministria e Mbrojtjes pranon vështirësi në trajnimin dhe mbajtjen e personelit shumë të kualifikuar, përfshirë pilotë luftarakë dhe specialistë të mbrojtjes ajrore dhe raketore.

Parlamenti ka miratuar së fundmi një ligj për shërbimin ushtarak vullnetar për burra dhe gra të moshës 18–35 vjeç, që përfshin katër muaj trajnim të paguar dhe një bonus sa tre paga mujore bruto pas përfundimit të shërbimit.

SUEDIA

Suedia riktheu shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 2017. Këtë vit janë rekrutuar pak më shumë se 7.000 ushtarë, ndërsa rreth 1.000 janë paraqitur vullnetarisht. Synimi është që ky numër të arrijë në 12.000 deri në vitin 2032.

Ndërsa rekrutimi pritet të mbulojë pjesën më të madhe të nevojave për zgjerimin e ushtrisë, mungesa e oficerëve profesionistë mbetet sfidë, pasi shumë prej tyre pritet të dalin në pension në pesë vitet e ardhshme.

Në fund të vitit 2023, forcat e armatosura suedeze kishin 9.700 oficerë profesionistë, numër që synohet të rritet në të paktën 11.800 deri në vitin 2035, ndërsa personeli civil pritet të rritet me rreth 30%.c

Të fundit