Flash News

Bota

Franca rikthen shërbimin ushtarak vullnetar, Macron prezanton planin

Franca rikthen shërbimin ushtarak vullnetar, Macron prezanton planin

Franca rikthen shërbimin ushtarak vullnetar, përballë kërcënimit në rritje që vjen nga Rusia dhe rrezikut për një konflikt në shkallë të gjerë në Europë.

Vendimi u njoftua nga presidenti Emmanuel Macron dhe ka mbështetjen e pjesës më të madhe të partive politike franceze.

Macron tha se një shërbim i ri kombëtar do të krijohet gradualisht, duke filluar nga vera e ardhshme.

Vullnetarët e rinj do të shërbejnë vetëm në territoret e Francës dhe jo në operacionet ushtarake jashtë vendit.

Megjithatë Parisi nuk po e shqyrton rivendosjen e rekrutimit ushtarak, i cili përfundoi në vend në vitin 1996.

Njoftimi i Macron vjen më shumë se tre vjet e gjysmë pasi Rusia filloi luftën në Ukrainë. Presidenti francez dhe zyrtarë të tjerë të lartë të vendit kanë paralajmëruar se Moska mund të mos ndalet në kufijtë e Ukrainës.

Gjenerali më i lartë i vendit, shefi i shtabit të forcave të armatosura, shkaktoi tensione në vend javën e kaluar duke paralajmëruar se Franca duhet të jetë gati “të humbasë fëmijët e saj”, pasi Rusia po përgatitet për një përballje me vendet europiane në 5 vitet e ardhshme.

Forcat e armatosura franceze kanë afërsisht 200 mijë personel ushtarak aktiv dhe 47 mijë rezervistë, numra që pritet të rriten deri në vitin 2030.

Vendimi i Francës vjen pasi Gjermania prezantoi modelin e ri ushtarak që parashikon rekrutime të detyruara, me synim zgjerimin e ushtrisë.

 

Të fundit