Flash News

Bota

Frika e një sulmi nga Kina, Tajvani zgjat shërbimin e detyrueshëm ushtarak

Frika e një sulmi nga Kina, Tajvani zgjat shërbimin e detyrueshëm

Tajvani do të zgjasë shërbimin e detyrueshëm ushtarak nga katër muaj në një vit, tha presidentja Tsai Ing-wen. Vendimi vjen mes tensioneve në rritje me Kinën, e cila pretendon ishullin e vetëqeverisur si territorin e saj.

Duke folur në një konferencë për shtyp, Tsai njoftoi sot plane të reja për të forcuar mbrojtjen e Tajvanit në rast të një sulmi nga Pekini.

"Paqja nuk do të bjerë nga qielli... Tajvani është në vijën e parë të zgjerimit autoritar," tha ajo.

Gjithashtu bëri me dije se rekrutët do t'i nënshtrohen gjithashtu trajnimeve më intensive, duke huazuar disa elementë nga SHBA dhe ushtri të tjera të përparuara. Ajo shtoi se sistemi aktual i mbrojtjes së ishullit ishte i pamjaftueshëm për të përballuar agresionin nga Kina, e cila ka një nga ushtritë më të mëdha dhe më të përparuara në botë.

Ushtria tajvaneze është tkurrur që nga fillimi i viteve 1990, kur të gjithë burrat mbi moshën 18 vjeç ishin të detyruar të shërbenin në ushtri deri në tre vjet. Gjatë dekadave të ardhshme, shërbimi u shkurtua në një vit e 10 muaj përpara se të reduktohej më tej në katër muaj. Rregulli i ri hyn në fuqi në janar 2024 - në të njëjtin muaj që Tajvani do të zgjedhë presidentin e ardhshëm.

“Ky është një vendim jashtëzakonisht i vështirë, por si president, si kreu i forcave ushtarake, është detyra ime e pashmangshme të mbroj interesat kombëtare dhe mënyrën tonë të jetesës demokratike”, tha Tsai.

Tensionet midis Taipeit dhe Pekinit u rritën në gusht pas një vizite në ishull nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi.

Pekini u përgjigj duke mbajtur stërvitjet e tij më të mëdha ushtarake ndonjëherë në detet rreth Tajvanit. Taipei i quajti stërvitjet "shumë provokuese".

Burimi: BBC

 

Të fundit