Flash News

Bota

Gabimi strategjik i Putinit “ishte se zgjodhi Perëndimin si armik”

Gabimi strategjik i Putinit “ishte se zgjodhi Perëndimin si

Presidenti rus, Vladimir Putin, dëshiron të kujtohet si një sundimtar i madh i Rusisë. Profesori i historisë, Timothy Snyder, beson se ai do të kujtohet si sundimtari që dobësoi jashtëzakonisht shumë shtetin e tij duke zgjedhur Perëndimin si armik dhe Kinën si patron.

Snyder, autor dhe ekspert për Evropën Qendrore dhe Lindore, foli për Radion Evropa e Lirë gjatë pjesëmarrjes në Konferencës e Sigurisë në Munih më 17 shkurt, pas njoftimit për vdekjen e liderit opozitar rus, Aleksei Navalny, në një burg në Arktik.

Radio Evropa e Lirë: Si mendoni se Aleksei Navalny do të kujtohet nga historia?

Timothy Snyder: Mendoj se kjo është pyetja më e rëndësishme ruse sepse rusët kujtojnë në një mënyrë të veçantë njerëzit që vdesin në kampe, njerëzit që vdesin në burgje. Putin dëshiron të kujtohet si sundimtar i Rusisë, por Navalny do të kujtohet në një mënyrë tjetër, sepse Navalny vdiq për shtetin e tij e jo duke vrarë njerëz të tjerë.

Si historian, mendoj se rëndësia e Navalnyt është se ai tentoi të tregonte se edhe gjërat e tjera ishin të mundura, por ne kurrë nuk do ta dimë se çfarë lideri do të mund të ishte ai. Por, mesazhi që ai kishte ishte një mesazh se duhet të keni kurajë, jo të gjithë duhet të kenë aq kurajë sa ai kishte, por ju nuk do të shkoni askund nëse nuk tregoni pak kurajë. Ky është një mesazh shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Rusisë, sepse njerëzit duhet të tregojnë pak më shumë kurajë.

Radio Evropa e Lirë: Ju përmendët se çfarë vendi në histori Putini dëshiron për vete, por çfarë mendoni se historia ka rezervuar për të, si do të kujtohet ai, varësisht nga rezultati që do të dalë nga Ukraina?

Timothy Snyder: Ai dëshiron që historia të jetë rreth gjërave, sikurse janë sundimtarët rusë. Por, historia ka të bëjë me gjëra të tjera përveç sundimtarëve rusë, historia ka të bëjë me përvojën njerëzore. Ka të bëjë me pasurinë dhe kush e posedon atë. Mendoj se historianët e shekullit 21 do të shkruajnë lidhur me pabarazinë e pasurisë. Dhe në atë histori, ai sigurisht që është një nga keqbërësit kryesorë. Ai është një prej oligarkëve më të rëndësishëm në botë, ai është dikush që – nëse jeni oligark ju mund të keni fantazi të çuditshme dhe askush nuk iu ndalon. Dhe më pas këto fantazi që ju keni përfundojnë duke prekur botën.

Prandaj, oligarkë të ndryshëm kanë fantazi të ndryshme. Një prej fantazive të tij [Putinit] është se Ukraina nuk ekziston. Kjo është një fantazi që po i shkakton botës një dëm të jashtëzakonshëm.

Ajo çfarë dua të them është se historianët nuk janë të gjithë historianë për Rusinë. Historianët janë edhe për gjëra të tjera dhe historianët për shoqërinë janë historianë të ekonomisë dhe ata do ta kujtojnë atë si një shembull të një oligarku, fantazitë e çuditshme të të cilit dëmtuan botën. Historianët po ashtu janë historianë të ekologjisë. Ata janë edhe historianë të natyrës dhe klimës. Pushteti i Putinit është i bazuar në hidrokarbure, në gaz natyral dhe naftë. Ka edhe keqbërës të tjerë, por ai është një prej keqbërësve kryesorë në rastin e mbajtjes së botës të varur nga këto gjëra.

Sa i përket historisë për Rusinë, mendoj se ai do të kujtohet si dikush që e bëri shtetin rus shumë më të dobët sepse mendoj se ai ka bërë, për mbi 10 vjet më parë, një gabim të thellë strategjik, që ishte zgjedhja e Perëndimit si armik. Ai e bëri këtë zgjedhje dhe zgjedhja e Perëndimit si armik nënkupton se keni zgjedhur ta keni Kinën si patron. Dhe mendoj se të qenët nën patronazhin e Kinës prodhon një situatë shumë më të dobët për Rusinë sesa të jesh mes Kinës dhe Perëndimit. Prandaj, mendoj se ai do të kujtohet si dikush që ka bërë një gabim bazik strategjik.

Radio Evropa e Lirë: Edhe nëse ai tenton të dalë fitimtar, sipas kushteve të tij, në Ukrainë?

Timothy Snyder: Ajo Rusi që del fitimtare nga lufta në Ukrainë prapë do të jetë ajo Rusi që po e bën punën e Kinës për Kinën, duke destabilizuar Perëndimin, duke e dobësuar Perëndimin. Edhe Rusia, që pushton shtete të tjera, në thelb ende është duke e bërë punën e Kinës. Prandaj, pavarësisht se si do të shkojnë gjërat me Ukrainën, mendoj se gabimi është më i thellë. Gabimi nuk është vetëm se Rusia kurrë nuk është dashur të luftojë në Ukrainë. Rusia kurrë nuk është dashur ta bëjë armik Perëndimin. Ky është gabimi themelor.

Radio Evropa e Lirë: Ajo çfarë konkludoj nga ajo që thoni është se kjo humbje strategjike e Rusisë, për të cilën u fol shumë vitin e kaluar në Munih, por më pas kjo gjë u hesht, ju ende besoni se Rusisë i është shkaktuar një mposhtje strategjike?

Timothy Snyder: Epo, të gjithë ne mund të humbasim. Të gjithë mendojnë se ose Rusia do të humbë ose Perëndimi. Por, mund të humbim që të dy, të gjithë mund të humbin. Rusia mund të humbasë kundrejt Kinës dhe Perëndimi mund të dobësohet si rezultat i fitores lokale të Rusisë, ne mund të përfundojmë në një botë ku të gjithëve u përkeqësohet situata. Kjo mund të ndodhë po ashtu. Prandaj, mendoj se Putini vetë i ka shkaktuar Rusisë një humbje strategjike kohë më parë. Tani, pyetja është nëse kjo humbje strategjike ndahet më pas për shtetet e tjera, me shtetet e Evropës Lindore, Evropës Perëndimore dhe të Amerikës Veriore. Kështu e shoh unë. Ai bëri një gabim të madh për Rusinë. Dhe më pas, pyetja është nëse kostoja e këtij gabimin do të vazhdojë të përhapet në mbarë botën.

Radio Evropa e Lirë: Kush po fiton në këtë lojë të madhe strategjike? Putini mund të jetë humbës. Por, kush tjetër është duke humbur?

Timothy Snyder: Kjo është një pyetje e mirë. Fituesit në gjithë këtë mund të jenë vetëm pak njerëz, apo jo? Fituesit mund të jenë njerëzit që drejtojnë sisteme tiranike të llojeve të ndryshe. Fituesit mund të jenë pak njerëz në Teheran, pak në Pekin, pak njerëz në Moskë dhe humbësit mund të jenë pothuajse çdokush. Pra, nëse Putini e fiton këtë luftë në Ukrainë, fitues nuk do të jetë populli rus, fituesit do të jenë pak njerëz përreth Putinit, përfshirë edhe vet atë.

Kjo është sepse unë mendoj se kjo është çështje më e madhe që shkon përtej gjeopolitikës. Ka të bëjë me atë se çfarë lloj sistemesh kemi ne. Ato lloj sistemesh ku vetëm pak njerëz përfitojnë apo ndonjë lloj sistemi ku shumë njerëz janë të lirë dhe kanë shans t’ia dalin mirë. Në thelb, kjo është çështja.

Njerëzit, e dimë nga historia se njerëzit ia dalin gjithsesi. Ju mund të jeni në një shtet që është i lirë dhe pushon së qeni shtet i lirë. Kjo është historia më e vjetër që ne e njohim, dua të them, një prej historive më të vjetra është e Greqisë antike. Njerëzit janë shumë të përshtatshëm, mund të jenë të lirë dhe një gjeneratë më pas, skllavëria mund të duket sërish normale. Prandaj, në këtë kuptim, njerëzimi mund të humbë sepse mundësia e pasjes së një sistemi normal, që është demokratik, që ka sundim të ligjit dhe ku fëmijët tuaj kanë shanse të kenë një jetë më interesante, nëse e gjithë kjo mund të zhbëhet./ REL

Të fundit