Flash News

Bota

Gjermania nuk do t'ia dijë për krizë, braktis energjinë bërthamore

Gjermania nuk do t'ia dijë për krizë, braktis energjinë

Gjermania mbyll tre centralet e saj të fundit bërthamore. Për të Gjelbrit është një ëndërr e realizuar. Në Azi, energjia bërthamore po përjeton një rilindje.

Në fund të marsit, në Berlin, ministrja gjermane e Mjedisit, Steffi Lemke (Të Gjelbrit) i dha fund me pak fjalë një grindjeje që e kishte mbajtur vendin në pezull për shumë vite: "Rreziqet e energjisë bërthamore në fund të fundit nuk janë të kontrollueshme dhe kjo është arsyeja pse braktisja graduale e energjisë bërthamore e bën vendin tonë më të sigurt dhe shmang mbetjet e reja bërthamore”.

Një tjetër zgjatje e shkurtër e mbajtjes së centraleve bërthamore

Më parë, energjia bërthamore u bë edhe njëherë objekt mosmarrëveshjeje. Në fakt, koalicioni qeveritar i përbërë nga SPD, të Gjelbrit dhe FDP kishte rënë dakord të respektonte braktisjen e energjisë bërthamore në Gjermani, të vendosur në vitin 2011. Termocentralet e fundit bërthamore do të mbylleshin në fund të vitit 2022. Por lufta e Rusisë kundër Ukrainës ndryshoi gjithçka, pasi furnizimet me gaz rus në Gjermani u ndërprenë dhe ekzistonte frika e mungesës së energjisë. Kancelari Olaf Scholz e imponoi vendimin e tij: Zgjatje e periudhës së funksionimit të centraleve bërthamore deri në mes të prillit 2023.

Një mosmarrëveshje që ka zgjatur me dekada

Pak mosmarrëveshje i kanë polarizuar njerëzit, veçanërisht në Gjermaninë Perëndimore, për shumë dekada sa ajo për energjinë bërthamore. Më 17 qershor 1961, një central bërthamor gjerman, Kahl në Bavari, furnizoi për herë të parë me energji rrjetin publik. Sot, tre termocentralet e fundit gjermane ende në shërbim, e ndërpresin përfundimisht furnizimin për rrjetin më 15 prill. Midis këtyre dy datave kanë kaluar 22596 ditë dhe shumë debate të gjalla. Ndërkohë, 19 blloqe centralesh bërthamore gjermane kanë furnizuar deri në një të tretën e energjisë elektrike të vendit, herën e fundit rreth 20 vjet më parë.

Në Republikën e vjetër Federale Gjermane, përpara bashkimit gjerman, kundërshtimi i energjisë bërthamore nxori në rrugë qindra mijëra të rinj, kryesisht në vitet 1970 dhe 1980. Fatkeqësia e Çernobilit në Bashkimin Sovjetik dukej se konfirmonte paralajmërimet për rreziqet e energjisë bërthamore. Por partitë politike në pushtet (CDU, CSU, SPD ose FDP) kanë mbështetur fuqimisht përdorimin e energjisë bërthamore për shumë dekada.

Braktisja e parë gjermane në vitin 2002

Në Gjermani, Jürgen Trittin, asokohe ministri i Mjedisit i të Gjelbërve, e imponoi vendimin e parë për të hequr dorë nga energjia bërthamore në vitin 2002. Ky vendim u zbut më vonë nga qeveritë pasuese, por fatkeqësia e tmerrshme bërthamore në Fukushima në Japoni në 2011 vulosi përfundimisht fatin e centraleve bërthamore gjermane. Kancelarja e asaj kohe, Angela Merkel (CDU), vendosi fundin e energjisë bërthamore në Gjermani. Trittini është edhe sot deputet i të Gjelbërve në Bundestag, dhe në një intervistë për DW për datën aktuale të mbylljes përfundimtare thotë: "Po, është një ditë e rëndësishme, sepse shënon fundin e një historie, atë të përdorimit civil të energjisë bërthamore. Por ky nuk është fundi i energjisë bërthamore në Gjermani, ne kemi të bëjmë akoma me mbetjet më të rrezikshme të botës, që do të na duhet t'i ruajmë  në mënyrë të sigurt për një milionë vjet".

Marrë me shkëputje nga Deutsche Welle

Të fundit