Flash News

Bota

Gjykata evropiane dënon Rusinë lidhur me helmimin e Navalnyt

Gjykata evropiane dënon Rusinë lidhur me helmimin e Navalnyt

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (ECHR) e dënoi Rusinë më 6 qershor për dështimin në hetimin e duhur të helmimit të opozitarit Alexei Navalny në vitin 2020, për të cilin Perëndimi thotë se ishte një tentim për vrasje.

ECHR-ja, me seli në Strasburg të Francës, tha se Rusia kishte dështuar në mënyrë të dukshme “t’i hetojë pretendimet për një motiv të mundshëm politik për tentativën e vrasjes, si dhe përfshirjen e mundshme të agjentëve shtetërorë”, duke konstatuar unanimisht se Rusia e kishte shkelur Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në deklaratën e publikuar thuhet se Rusia kishte refuzuar të hapte procedurë penale për helmimin që kishte bërë që Navalny të binte në komë.

Aktivisti opozitar kundër korrupsionit, i parë nga mbështetësit e tij si një rival i mundshëm politik i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, u sëmur gjatë një fluturimi nga Siberia.

Ai më vonë u evakuua në Gjermani, ku u shërua, por u burgos menjëherë pas kthimit të tij në Moskë dhe që atëherë ka qenë në burg.

ECHR-ja vuri në dukje se testet e kryera nga qeveria gjermane kishin gjetur “prova të qarta” të pranisë së helmit kimik Novichok në trupin e Navalnyt.

Gjykata evropiane tha se hetimi i bërë nga Rusia lidhur me këtë rast nuk ishte i hapur dhe se Navalny nuk ishte lejuar të merrte pjesë./ REL

Të fundit