Flash News

Bota

Gjykatë speciale për luftën në Ukrainë, Zelensky firmos marrëveshjen në Strasburg

Gjykatë speciale për luftën në Ukrainë, Zelensky

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka nënshkruar një marrëveshje me Këshillin e Evropës (KE) për të krijuar një gjykatë që do të lejonte ndjekjen penale të zyrtarëve të lartë rusë që kanë udhëhequr luftën në Ukrainë.

Zelensky nënshkroi marrëveshjen të mërkurën së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të KE-së, Alain Berset, në qytetin francez të Strasburgut, ku ndodhet selia e organizatës, shkruan CNN

Udhëheqësi ukrainas e ka portretizuar gjykatën speciale si të një rëndësie të madhe për mbajtjen përgjegjëse të zyrtarëve rusë për pushtimin në shkallë të plotë të vendit të tij, i cili filloi në shkurt 2022 dhe ka vazhduar për më shumë se tre vjet, me një kosto të madhe njerëzore.

Themelimi i gjykatës synon të zgjerojë rrjetin për ata që mund të gjykohen për konfliktin. Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJPN), e cila përqendrohet në krimet kundër njerëzimit, ka lëshuar tashmë urdhër-arreste për Presidentin rus Vladimir Putin dhe disa figura të tjera të profilit të lartë politike dhe ushtarake ruse.

Organizata e re do të merret me krimin e agresionit, konkretisht në lidhje me përdorimin e forcës së armatosur nga një shtet kundër një tjetri. Kjo shënon herën e parë që KE ka ngritur një gjykatë të tillë.

“Tribunali, i cili u hap zyrtarisht sot, krijon një mundësi reale për ta mbajtur udhëheqësinë e regjimit rus përgjegjëse për krimet e kryera kundër shtetit dhe popullit tonë”, shkroi presidenti ukrainas në X.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë për të siguruar drejtësi për të gjitha viktimat. Kriminelët duhet të përballen me gjyqin në Hagë dhe të ndëshkohen.”

Berset tha: “Ky nënshkrim historik na kujton se e drejta ndërkombëtare duhet të zbatohet për të gjithë – pa përjashtime dhe pa standarde të dyfishta.”

Krahas Putinit, Gjykata Ndërkombëtare Penale, me seli në Hagë, lëshoi ​​një urdhër arresti për Maria Lvova-Belova, komisioneren presidenciale të Rusisë për të drejtat e fëmijëve, në mars 2023. Të dy akuzohen për deportimin dhe transferimin e paligjshëm të fëmijëve nga zonat e pushtuara të Ukrainës në Rusi.

Të fundit