Flash News

Bota

HMPV në Kinë, OBSH: Nuk përbën rrezik pandemie

HMPV në Kinë, OBSH: Nuk përbën rrezik pandemie

Një valë e rritjes së rasteve të virusit respirator HMPV (Human Metapneumovirus) në Kinë ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare që nga dhjetori i vitit të kaluar. Megjithatë, ekspertja Harris ka sqaruar se situata nuk përbën emergjencë shëndetësore dhe është tipike për sezonin dimëror.

Sipas Harris, HMPV nuk është një virus i ri. Ky patogjen, i identifikuar për herë të parë në Holandë në vitin 2001, mendohet të ketë qarkulluar në popullatën njerëzore prej shumë kohësh.

“Shumica e njerëzve zhvillojnë antitrupa ndaj tij deri në moshën 5-vjeçare,” theksoi ajo, duke shtuar se virusi shkakton simptoma të lehta të ngjashme me ato të ftohjes, si rrjedhje hundësh dhe bllokim, të cilat zakonisht kalojnë brenda disa ditësh.

Në Kinë, një sistem rigoroz mbikëqyrjeje për infeksionet respiratore ka treguar se vetëm 5% e rasteve të identifikuara lidhen me HMPV, ndërsa pjesa më e madhe janë të lidhura me gripin sezonal. Harris siguroi se nuk ka shenja të mbingarkesës në spitale dhe se situata është nën kontroll.

Megjithatë, ajo apeloi për kujdes të veçantë ndaj grupeve më të rrezikuara, si të moshuarit, fëmijët e vegjël dhe personat me sëmundje kronike, të cilët mund të përjetojnë forma më të rënda të sëmundjes. Harris theksoi rëndësinë e vaksinimit dhe zbatimin e masave parandaluese, si përdorimi i maskave në ambiente të mbushura me njerëz, për të mbrojtur grupet vulnerabël.

 

Të fundit