Flash News

Bota

Holanda kontribuon me 500 milionë euro për blerje të armëve amerikane për Ukrainën, si pjesë e një nisme të re të NATO-s

Holanda kontribuon me 500 milionë euro për blerje të armëve

Holanda njoftoi të hënën se do të kontribuojë me 500 milionë euro për të blerë pajisje ushtarake amerikane për Ukrainën, duke u bërë vendi i parë i NATO-s që kontribuon në një mekanizëm të ri për ta furnizuar Kievin me armë amerikane.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha muajin e kaluar se SHBA-ja do ta furnizojë armë Ukrainën, të paguara nga aleatët evropianë, por nuk dha hollësi se si do të funksiononte kjo.


“Si aleati i parë i NATO-s, Holanda do ta dorëzojë një paketë prej 500 milionë eurosh me sisteme armësh amerikane (duke përfshirë pjesë dhe raketa Patriot)”, tha ministri i Mbrojtjes i Holandës, Ruben Brekelmans, në një postim në X.

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ish-kryeministër holandez, mirëpriti njoftimin dhe tha se ka inkurajuar edhe anëtarët e tjerë të aleancës të marrin pjesë në mekanizmin e ri, të quajtur Nisma e NATO-s për Listën e Kërkesave të Prioritizuara të Ukrainës (PURL).

“Kjo është për t’i dhënë Ukrainës pajisjet që i nevojiten urgjentisht tani për t’u mbrojtur nga agresioni rus”, tha Rutte në një deklaratë.


NATO-ja tha se do ta koordinojë nismën e re, e cila financohet nga anëtarët evropianë të aleancës dhe nga Kanadaja, dhe do të ndahet në paketa me vlerë afërsisht 500 milionë dollarë secila.

Kievi mirëpriti vendimin e Holandës.

“Ukraina, dhe kështu e gjithë Evropa, do të jenë më mirë të mbrojtur nga terrori rus. Jam sinqerisht mirënjohës ndaj Holandës për kontributin e saj të konsiderueshëm në forcimin e mburojës ajrore të Ukrainës”, shkroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në X./ REL

 

Të fundit