Flash News

Bota

Hungaria i jep ‘OK', ratifikon anëtarësimin e Suedisë në NATO

Hungaria i jep ‘OK', ratifikon anëtarësimin e Suedisë

Parlamenti i Hungarisë miratoi me shumicë dërrmuese kërkesën e Suedisë për t'u bashkuar me NATO-n të hënën, duke hapur rrugën për pranimin e vendit nordik në aleancë pas gati dy vitesh negociatash intensive dhe duke i dhënë një goditje gjeopolitike presidentit rus Vladimir Putin, tha zyra e shtypit e parlamentit, shkruan CNN.

Marrja e miratimit nga parlamenti hungarez ishte pengesa e fundit për anëtarësimin e Stokholmit në NATO. Kryeministri suedez Ulf Kristersson vizitoi Budapestin të premten për të diskutuar bashkëpunimin e mbrojtjes dhe sigurisë me homologun e tij hungarez, Viktor Orban. Të dy palët dukej se u pajtuan, duke rënë dakord për një marrëveshje që do të shihte Hungarinë të blejë katër avionë të rinj luftarakë të prodhimit suedez Gripen.

Nga 194 anëtarët e parlamentit që votuan, vetëm gjashtë e kundërshtuan pranimin e Suedisë.

"Sot është një ditë historike," tha Kristersson në X menjëherë pas votimit. “Suedia është e gatshme të mbajë përgjegjësinë e saj për sigurinë euroatlantike”.

Suedia do t'i bashkohet zyrtarisht aleancës pasi të dorëzojë instrumentin e saj të anëtarësimit me qeverinë e Shteteve të Bashkuara, e cila është depozituesi i Traktatit të Atlantikut të Veriut.

Me pranimin e Suedisë, NATO do të numërojë 32 vende në mesin e anëtarëve të saj, një kthesë ironike duke pasur parasysh se Rusia nisi luftën e saj kundër Ukrainës pjesërisht për shkak të rritjes së aleancës në Evropën Lindore përgjatë kufirit të Rusisë.

Vitin e kaluar, Finlanda u bë anëtari i 31-të i NATO-s, duke shtuar rreth 1,300 kilometra (830 milje) në kufirin e aleancës me Rusinë.

Siç thotë NATO, Finlanda dhe Suedia do të gëzojnë mbrojtjen e dhënë sipas nenit 5 të traktatit që themeloi aleancën – i cili thotë se një sulm ndaj një anëtari konsiderohet si një sulm kundër të gjithëve.

Të fundit