Flash News

Bota

I doli emri te dosjet e "Epstein", Lord Mandelson jep dorëheqjen nga Partia Laburiste

I doli emri te dosjet e "Epstein", Lord Mandelson jep dorëheqjen

Lord Peter Mandelson, ish-zyrtari i lartë laburist dhe ish-ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Shtetet e Bashkuara, ka dhënë dorëheqjen nga anëtarësimi në Partinë Laburiste, pas publikimit të dokumenteve të reja nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë që lidhen me Jeffrey Epstein, pedofil i dënuar dhe financier amerikan. Lajmi është raportuar nga BBC.

Sipas dokumenteve, emri i Mandelson përmendet në lidhje me tre pagesa financiare prej 25 mijë dollarësh secila, të kryera nga Epstein gjatë viteve 2003 dhe 2004. Mandelson ka mohuar dijeni për këto pagesa, duke thënë se nuk i kujtohen dhe se pretendimet i konsideron të pavërteta, megjithatë ka njoftuar se do të ndërmarrë verifikime personale.

Në letrën e dorëheqjes drejtuar Partisë Laburiste, Mandelson ka shprehur keqardhje të thellë për lidhjen e tij me Epstein dhe ka kërkuar falje veçanërisht ndaj grave dhe vajzave, zërat e të cilave, sipas tij, nuk u dëgjuan në kohën e duhur. Ai theksoi se vendimi për t’u larguar është marrë për të mbrojtur interesin e partisë.

Publikimi i dokumenteve ka shkaktuar reagime të forta në skenën politike britanike. Deputetë laburistë e kanë cilësuar dorëheqjen si një hap të nevojshëm, ndërsa opozita konservatore ka kritikuar kryeministrin Keir Starmer, duke thënë se duhej të kishte vepruar më herët. Udhëheqësja e Partisë Konservatore, Kemi Badenoch, ka kërkuar hapjen e një hetimi të plotë.

Të fundit