Flash News

Bota

Ish-politikani ukrainas, qëllohet për vdekje pranë një shkolle në Madrid

Ish-politikani ukrainas, qëllohet për vdekje pranë një

Një burrë 52-vjeçar, i identifikuar si Andrei Portnov, u vra mëngjesin e së mërkurës në hyrje të Shkollës Amerikane në Pozuelo de Alarcón, një lagje elitare në periferi të Madridit. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 09:15, menjëherë pasi viktima kishte lënë fëmijët e tij në ambientet e shkollës.

Sipas burimeve të agjencisë EFE dhe Ministrisë së Brendshme të Spanjës, Portnov u qëllua disa herë në shpinë dhe në kokë, ndërsa po hipte në automjetin e tij. Autorët, ende të paidentifikuar, u larguan me shpejtësi drejt një zone të pyllëzuar pranë vendit të ngjarjes.

Ekipet emergjente mbërritën menjëherë, por konstatuan se 52-vjeçari kishte ndërruar jetë në vend. Ngjarja shkaktoi panik në zonë, pasi ndodhi në orën e pikut, me shumë prindër dhe fëmijë të pranishëm në ambientet e shkollës.

Andrei Portnov ishte një figurë e njohur politike në Ukrainë, i njohur për orientimin e tij pro-rus. Ai kishte shërbyer si këshilltar i ngushtë dhe zëvendëskryetar i administratës presidenciale gjatë kohës së ish-presidentit të rrëzuar Viktor Janukoviç. Portnov ishte subjekt i disa hetimeve ndërkombëtare për korrupsion dhe përvetësim, si dhe ishte përfolur për lidhje me interesa të Kremlinit, veçanërisht pas pushtimit rus të Ukrainës.

Policia Kombëtare spanjolle po heton të gjitha pistat, përfshirë edhe atë të një larjeje hesapesh. Në vendin e ngjarjes ndodhen ekspertë të Policisë Shkencore dhe Grupi V i Vrasjeve, të cilët po mbledhin prova për të zbardhur rrethanat e krimit.

Ndërkohë, Shkolla Amerikane në Madrid ka refuzuar të komentojë mbi incidentin, duke konfirmuar vetëm se në momentin e ngjarjes nxënësit dhe prindërit ndodheshin brenda godinës në pritje të sqarimeve nga autoritetet.

Hetimet janë në vijim, ndërsa autoritetet spanjolle janë në ndjekje të autorëve dhe të motivit të kësaj vrasjeje tronditëse që ka ngritur alarmin për sigurinë në një nga zonat më të sigurta të kryeqytetit.

.

Të fundit