Flash News

Bota

Italia mund të refuzojë Bordin e Paqes të Trump, Roma: Bie ndesh me Kushtetutën

Italia mund të refuzojë Bordin e Paqes të Trump, Roma: Bie ndesh

Italia pritet të mos i bashkohet “Bordit të Paqes”, nismës së promovuar nga presidenti amerikan Donald Trump, për shkak të pengesave serioze kushtetuese dhe institucionale.

Në qendër të kundërshtimit qëndron neni 11 i Kushtetutës italiane, i cili lejon pjesëmarrjen e vendit vetëm në organizma ndërkombëtarë që garantojnë barazi mes shteteve anëtare.

Sipas Romës zyrtare, struktura e propozuar nga Trump nuk e respekton këtë parim, pasi parashikon një rol dominues të Shteteve të Bashkuara, duke u cilësuar nga kritikët si një lloj “OKB-je private”, ku anëtarësimi kërkon edhe një tarifë prej 1 miliard dollarësh.

Këto dyshime po e shtyjnë kryeministren Giorgia Meloni të mos firmosë angazhimin e Italisë në këtë nismë, e cila pritet të prezantohet zyrtarisht gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos. Edhe pse Meloni mund të jetë e pranishme në Davos për arsye diplomatike dhe marrëdhëniesh me Shtëpinë e Bardhë, qëndrimi i saj ndaj këtij projekti po bëhet gjithnjë e më skeptik.

Një tjetër problem madhor lidhet me procedurat ligjore. Çdo marrëveshje ndërkombëtare kërkon ratifikim nga Parlamenti italian, proces që kërkon kohë dhe konsensus politik.

Për më tepër, burime institucionale bëjnë me dije se Presidenca e Republikës do ta bllokonte një akt të tillë, duke iu referuar drejtpërdrejt nenit 11, ndërsa rreziku i rrëzimit në Gjykatën Kushtetuese vlerësohet si i lartë.

Të fundit