Flash News

Bota

Izraeli fillon ofensivën e pushtimit të Gazës, palestinezët braktisin qytetin

Izraeli fillon ofensivën e pushtimit të Gazës, palestinezët

Palestinezët po largohen nga disa pjesë të Gazës pasi ushtria izraelite filloi fazat e para të një ofensive të planifikuar tokësore, për pushtimin e qytetit, shkruan BBC.

Trupat izraelite kanë krijuar një pikëmbështetje në periferi të qytetit - i cili është shtëpia e më shumë se një milion palestinezëve - pas ditësh bombardimesh intensive.

Kjo e ka shtyrë Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, të ripërsëritë thirrjet për një armëpushim të menjëhershëm "për të shmangur vdekjen dhe shkatërrimin" që një sulm do të "shkaktonte në mënyrë të pashmangshme".

Izraeli dëshiron të sinjalizojë se po ecën përpara me planin e tij për të pushtuar të gjithë Qytetin e Gazës pavarësisht kritikave ndërkombëtare.

Qindra palestinezë në lagjet Zeitoun dhe Sabra të Qytetit të Gazës janë larguar drejt pjesës veriperëndimore të qytetit.

Një zëdhënës ushtarak tha se trupat tashmë po vepronin në zonat Zeitoun dhe Jabalia për të hedhur themelet për ofensivën, të cilën Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, e miratoi të martën dhe e cila do t'i paraqitet kabinetit të sigurisë më vonë këtë javë.

Rreth 60,000 rezervistë po thirren për fillimin e shtatorit për të liruar personelin në detyrë aktive për operacionin.

Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se po shkurton afatet kohore për marrjen e asaj që ai e përshkroi si "fortesat e fundit të terrorit" në Gaza.

Në një deklaratë, Hamasi akuzoi udhëheqësin izraelit për vazhdimin e një "lufte brutale kundër civilëve të pafajshëm në Qytetin e Gazës" dhe kritikoi atë që e quajti "shpërfillje" e tij për një propozim të ri armëpushimi nga ndërmjetësit rajonalë. Izraeli ende nuk i është përgjigjur zyrtarisht planit.

Qindra mijëra palestinezë në Qytetin e Gazës pritet të urdhërohen të evakuohen dhe të shkojnë në Gazën jugore, ndërsa fillojnë përgatitjet për planin e Izraelit për marrjen e kontrollit.

Ndërkohë, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) tha se zhvendosja e mëtejshme dhe një intensifikim i armiqësive rrezikojnë të përkeqësojnë një situatë tashmë katastrofike për popullsinë 2.1 milionëshe të Gazës.

Qeveria e Izraelit njoftoi qëllimin e saj për të pushtuar të gjithë Rripin e Gazës pasi bisedimet indirekte me Hamasin për një armëpushim dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve u prishën muajin e kaluar.

Të fundit