Flash News

Bota

Izraeli publikon fotot dhe identitetin e dy punonjësve të ambasadës të vrarë në SHBA

Izraeli publikon fotot dhe identitetin e dy punonjësve të

Ministria e Jashtme e Izraelit ka publikuar sot fotot dhe emrat e dy punonjësve të ambasadës izraelite në SHBA, të cilët u vranë me armë zjarri në një ngjarje tragjike që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Uashington DC. Viktimat janë Yaron Lischinsky dhe Sarah Lynn Milgrim, të cilët sipas autoriteteve izraelite ishin çift dhe punonin në shërbimin diplomatik.

Në njoftimin zyrtar të ministrisë thuhet se çifti ishte pjesë e një aktiviteti diplomatik në Muzeun Hebraik të kryeqytetit amerikan, dhe u qëlluan për vdekje teksa po largoheshin nga eventi. Fotot e tyre janë shpërndarë nga institucionet zyrtare izraelite në shenjë nderimi dhe kujtimi për jetën dhe shërbimin e tyre.

Sipas ambasadorit të Izraelit në SHBA, Yaron kishte blerë një unazë martese këtë javë dhe planifikonte t’i propozonte Sarah-së në Jerusalem, javën e ardhshme.

Në nder të viktimave, të gjitha ambasadat izraelite në botë kanë ulur flamujt në gjysmështizë.

Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, deklaroi se vrasja është një pasojë e nxitjes antisemite që, sipas tij, është përhapur që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023. Ai e cilësoi ngjarjen si “një tragjedi që pasqyron rrezikun real me të cilin përballen qytetarët hebrenj dhe përfaqësuesit izraelitë në botë.”

Hetimet për ngjarjen janë në zhvillim nga autoritetet amerikane, ndërsa motivet mbeten ende të paqarta.

Të fundit