Flash News

Bota

Javën e ardhshme BE shpalos planin për riarmatosjen e Evropës

Javën e ardhshme BE shpalos planin për riarmatosjen e Evropës

Javën e ardhshme, Komisioni i BE-së do të prezantojë Letrën e Bardhë për të Ardhmen e Mbrojtjes Evropiane, me udhëzime se si të rritet prodhimi dhe gatishmëria e mbrojtjes përballë agresionit të mundshëm ushtarak rus.

“Shtetet anëtare duhet të shpenzojnë më shumë”, kërkojnë Komisioneri i BE-së për Mbrojtjen Andrius Kubilius dhe kryediplomatja e BE-së Kaja Kallas në një draft të Letrës së Bardhë për të Ardhmen e Mbrojtjes Evropiane.

“Rindërtimi i mbrojtjes evropiane kërkon një investim masiv për një periudhë të qëndrueshme”, argumentojnë komisionerët, duke shtuar se vetëm përmes nismave dhe koordinimit të përbashkët vendet e BE-së do të jenë në gjendje të bëjnë një ndryshim.

Bëhet e ditur se në vitin 2024, vendet anëtare arritën një investim rekord prej 326 miliardë eurosh, por vlerësimet e fundit tregojnë se të paktën 500 miliardë euro do të nevojiten për të plotësuar boshllëqet e aftësive kritike të bllokut gjatë dekadës së ardhshme.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen prezantoi një plan me pesë pika javën e kaluar për të riarmatosur kontinentin, duke detajuar se si të mobilizohen deri në 800 miliardë euro.

Kjo përfshin një instrument të ri prej 150 miliardë eurosh kredi për shtetet anëtare për të shpenzuar në prokurimet e përbashkëta për mbrojtjen dhe sigurinë.

Tani, ekzekutivi i BE-së do të konsiderojë gjithashtu rishikimin e Rregullores së Bllokut për Zbulimin e Financave të Qëndrueshme (SFDR) për të vlerësuar nëse mbrojtja mund të konsiderohet “një qëllim investimi në kuadrin e qëndrueshmërisë”.

Krijimi i një tregu të vetëm për mbrojtjen, thjeshtimi i rregullave dhe përfitimi nga ekonomitë duke punuar së bashku janë mënyra shtesë që Komisioni propozon për të përdorur me efikasitet fondet e disponueshme, shkruan euronews

“Koordinimi i shpenzimeve rrit fuqinë negociuese të shteteve anëtare, ul çmimet për njësi dhe forcon konsolidimin industrial”, thuhet në dokumentin prej 20 faqesh.

Kallas dhe Kubilius avokojnë që prokurimet bashkëpunuese dhe projektet e mbrojtjes pan-evropiane në shkallë të gjerë të ecin paralelisht në vitet e ardhshme, duke u lënë shteteve anëtare fuqinë për të vendosur për formatin dhe qëllimin.

Raportohet se Komisioni ka identifikuar shtatë projekte kyçe të aftësive kritike, që mbulojnë fusha të tilla si lëvizshmëria ushtarake, sistemet e dronëve, AI, kuantike, lufta kibernetike dhe elektronike, si dhe mbrojtja ajrore dhe raketore.

Ekzekutivi i BE-së do të konsiderojë gjithashtu futjen e një preference evropiane në rregullat e prokurimit publik për sektorët dhe teknologjitë strategjike të lidhura me mbrojtjen, që ka të ngjarë të rishikohet në vitin 2026.

Të fundit