Flash News

Bota

Kaosi në Afganistan, jep dorëheqjen ministrja holandeze

Kaosi në Afganistan, jep dorëheqjen ministrja holandeze

Ministrja e Jashtme holandeze Sigrid Kaag ka dhënë dorëheqjen për shkak të trajtimit të krizës së afganëve nga ana e saj. Kaag është zyrtarja e parë e qeverisë perëndimore që jep dorëheqjen për shkak të kaosit që pasoi marrja nën kontroll e talebanëve.

Mediat e huaja raportojnë se, Kaag pranoi vendimin e deputetëve. Deputetët holandezë kishin miratuar një mocion censure ndaj saj, duke thënë se qeveria ishte shumë e ngadaltë për t'u përgjigjur dhe la pas shumë afganë që duhej të ishin në gjendje të iknin.

Ajo pranoi se qeveria ishte e ngadaltë dhe e turbulluar kur reagoi ndaj paralajmërimeve të talebanëve. Holanda arriti të evakuojë rreth 2,000 njerëz nga Afganistani në dy javët e fundit të gushtit. Por qindra staf lokal dhe njerëz që kishin punuar si përkthyes me trupat holandeze u lanë prapa.

Kaag pranoi se qeveria kishte vepruar në bazë të "supozimeve të gabuara", por këmbënguli se ngritja e shpejtë e talebanëve në pushtet i kishte habitur të gjithë, "përfshirë vetë talebanët".

Pavarësisht kësaj, zonja Kaag tha se vota e deputetëve nuk i la asaj zgjidhje tjetër përveçse të tërhiqej nga posti i saj.

"Parlamenti ka gjykuar se kabineti nuk ka vepruar me përgjegjësi," tha zonja Kaag. "Ministri duhet të shkojë nëse politika refuzohet."

Të fundit